Ish- kandidati për kryetar të komunës së Podujevës, Ismet Abdullahu, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka sqaruar rastin e arrestimit të tij. Ai ka shkruar që nuk ka sulmuar askënd dhe nuk ka shtënë me armë, sepse, sipas tij, ai nuk ka pasur as armë dhe përfshirja e tij në konflikt ishte incidentalisht.
“E vetmja e vërtetë është se unë nuk kam qenë palë e përfshirë në konflikt e hiq se hiq që kam sulmuar apo shtënë dhe se nuk kam pas as armë, këtë e konfirmim edhe deklarimi zyrtar i policisë ku thuhet “se në Ulpianë, afër selisë së AAK-së ka ndodhur përleshje dhe se tre persona janë shoqëruar në polici” ku askund nuk përmendet se ka pasur të shtëna. Unë incidentalisht jam përfshirë në rast duke dashur të ndal një konflikt rreth parkingut që kishte ndodhur në mes një qifti dhe një personi tjetër. Me këtë rast unë kam arritur ti ndaj dhe me ardhjen e Policisë së Kosovës unë kam refuzuar jo dhunshëm arrestimin ngase e kam parë të pa kuptim këtë duke mos qenë as iniciues e as shkaktar i konfliktit për vetëm se e kam ndihmuar në qetësimin e situatës. Pra e gjithë mbajtja ime në arrest është arsyetuar me akuzën për pengim të personit zyrtar”, ka shkruar Abdullahu.
Ai në postimin e tij i ka “akuzuar” mediat, duke thënë se prezantimi i ngjarjes ka devijuar me ose pa dashje, gjë e cila ka shkaktuar lëndime shpirtërore për të dhe familjen e tij.
“Unë Ismet Abdullahu e ndjej për obligim që para qytetarëve, miqve dhe opinionit, gjithnjë duke e respektuar rolin e medias në informimin e pavarur dhe të drejtë të qytetarëve, pa dashur të paragjykoj tendencën apo mos profesionalizmin e them se prezantimi i ngjarje së ndodhur më: 31.03.2015 (e marte) në afërsi të kafiterisë “Infinit” në Prishtinë ka devijuar me ose pa dashje dhe kjo për mua, familjen dhe miqtë ka qenë një lëndim shpirtëror, shto këtu edhe rrethanat që kam kaluar unë dhe familja gjatë okupimit serb”, ka shkruar ai./llapi.info