Të rinjtë e organizatës “Kosovo International Young Falcon” nga Podujeva kanë organizuar një aksion simbolik për të përkujtuar ata që humbën jetën në sulmin e tmerrshëm të armëve kimike në Siri, dhe ata nga sulmi në Stockholm.

Ky aktivitet ka filluar rreth orës 19:00 në sheshin e qytetit të Podujevës.

Drejtori i kësaj organizate Nexhmi Balaj, i ka thënë Gazetës së Re se, pasiqë nuk kanë mundësi që në ndonjë mënyrë tjerë të ndihmojnë popullin sirian, të rinjët e organizatës që ai udhëheq dëshiruan që përmes këtij aksioni të bëjnë thirrje për paqe.

“Sot, në sheshin e qytetit të Podujevës veprimtarë të organizatës sonë ndezën qirinjë në shenjë respekti për viktimat në Siri dhe Stockholm. Mesazhi i këtij aktiviteti është që të mbretërojë paqja në botë në mënyrë që të rinjtë e të gjithë botës të rriten të lirë, të studiojnë dhe të kultivojnë dashurinë për njëri-tjetrin”, ka thënë Balaj duke shtuar se, kjo dashuri po mungon shumë në kohën moderne.

Balaj veç tjerash, ka thënë se këto raste janë tronditëse për të gjithë njerëzimin. Ai ka treguar se organizata e tij ka një bashkëpunim me organizatën joqeveriare suedeze “unga urnale”, me ç’rast i kanë dërguar të rinjët për aktivitete të ndryshme në Stockholm. Sipas tij, nga këto vizita atje, ai ka parë se suedezët janë shembull për trajtimin e mirë të njerëzve, prandaj sipas tij është e rëndë tu ndodhin ngjarje të tilla si këto të fundit./Gazetaere.com/