Kabllot e rrymës dhe të kompanive të ndryshme në Podujevë të cilat janë të vendosura në parkun e qytetit afër çerdhes së qytetit “Drita”, janë bërë pengesë dhe rrezik i madh për banorët dhe fëmijët të cilët kalojnë nga kjo anë, shkruan Llapi.info.
Këto kabllo të cilat nuk janë më të larta se një metër ka muaj që nuk janë rregulluar. E gjithë kjo, sipas disa qytetarëve të cilët qarkullojnë në atë pjesë është shumë e rrezikshme, madje edhe për fëmijët të cilët e kanë çerdhen shumë afër këtyre kabllove.
“Fëmiu im vetëm nga kureshtja mund t’i kap këto kabllo dhe mund t’i kushtoj me jetë pasi ai nuk e di se çfarë rreziku paraqesin ato” tha T. GJ.
Ndërsa, për disa të tjerë rreziku vjen kryesisht në orët e mbrëmjes kjo pasi që ato kabllo nuk mund të shihen në orët e vona dhe mund të arrihen edhe me trup e kokë të një njeriu.
Ajo që e bën akoma më të rrezikshme këtë situatë është edhe vendosja e këtyre kabllove edhe nëpër drunjtë dekorativ dhe shtyllat ndriçuese të parkut./Llapi.info