Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe pronari i Kompanisë “Albini” SH.P.K., Bekim Vokrri, në cilësinë e qiramarrësit, kanë nënshkruar kontratën për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër të pronës komunale, Qendra për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në Sfeçël, thuhet në kumtesën komunale, transmeton Llapi.info.
Në bazë të Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe ankandit publik në konkurrencë të hapur, prona komunale, Qendra për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në Sfeçël, sipas vlerësimit të komisionit, i është dhënë në shfrytëzim afatshkurtër, Kompanisë “Albini” SH.P.K.
Duke respektuar procedurat e parapara me ligj, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe pronari i Kompanisë “Albini” SH.P.K., Bekim Vokrri, në cilësinë ë qiramarrësit, kanë nënshkruar kontratën për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër të Qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në Sfeçël.
Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Veliu tha se ndjehet i lumtur që kjo qendër do të menaxhohet nga një fermer i vyeshëm llapjan, i cili është i njohur për kultivimin dhe plasmanin e produkteve bujqësore jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e vendeve evropiane.
Në bazë të kontratës së nënshkruar Kompania “Albini” e merr në shfrytëzim qendrën për 15 vjet dhe veprimtarinë e saj në këtë qendër do ta mbikëqyr Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kurse kompania është e obliguar t’i raportojë kësaj drejtorie lidhur me respektimin e kushteve të kontratës dhe investimeve të bëra.
Përpos qerasë që do të përfitojë Komuna e Podujevës nga ky objekt, sipas kontratës Kompania “Albini” obligohet që të punësojë 10 punëtorë./Llapi.info