Komandantët nga Podujeva, njëherit edhe deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa – Remi, dhe Latif Gashi- Lata, kanë reaguar ndaj deklaratave të afaristi Eroll Vitaku, i cili mbremë në emisionin “Puls” i akuzoi këta të dy, duke thënë se u ka paguar haraç personave që thirreshin në emër të komandant Remit e Latës.

Rrustem Mustafa në postimin e tij në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se asnjëherë nga askush nuk ka kërkuar haraç.

“…Në këtë denoncim publik, afaristi në fjalë ka rrëfyer se dikush nga ata që e kanë sulmuar është thirrur në emrin tim me pretendimin se qëndrojë prapa tyre (sulmuesëve) si kërkues të pasurisë së paligjshme. Dëshiroj të bëjë të qartë se asnjëherë nga askush, në cilëndo periudhë nuk kam kërkuar që të kërkojë në emrin tim asnjë lloj pasurie apo cfarëdo qoftë tjetër”, ka shkruar ndër të tjerash Mustafa.

Ndërsa, komandanti tjetër Latif Gashi- Lata, përmes një prononcimi telefonik në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se ndihet i shqetësuar pas atyre deklaratave, dhe nuk është në dijeni nëse dikush ka kërkuar haraç në emrin e tij. Ai po ashtu ka thënë se me afaristin Eroll Vitakun njihet tash e disa vite, dhe sipas tij Vitaku ka bërë keq që nuk i ka treguar atij direkt për këto ngjarje.

“Unë dhe familja ime u ndjemë shumë të ofenduar kur në debatin televiziv në emisionin ‘Puls’ u përmend edhe emri im nga një qytetar i Republikës, nga një afarist i nderuar siç është Eroll Vitaku të cilin personalisht e njoh dhe besoj se kam raporte të mira me të. U shqetësova më së shumti duke qenë se tani e shtatë vite ka pasur mundësi të më kontaktojë me miliona herë dhe të më thotë: ‘Latë, dikush po thirret në emrin tënd’. Më erdhi shumë keq nga ai që që shtatë vjet u paguan personave të pandërgjegjshëm dhe pas shtatë viteve tregon se janë thirrur në emër të ‘filanit’ “, ka thënë ndër të tjerash Gashi.

Ai ka thënë se është hera e parë që dëgjon se dikush ka kërkuar haraç në emrin e tij.

“Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar asnjë ankesë të asnjë qytetari, prandaj u ndjeva shumë i shqetësuar”, ka thënë ai./Llapi.info