Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Podujevës kanë hedhur një varg kritikash ndaj qeverisë komunale me rastin e miratimit të pikës së rendit të ditës për raportin Financiar për periudhën janar- mars 2017, shkruan Llapi.info.
Harxhimet e shumta për dreka zyrtare, telefoni mobile si dhe mos specifikimi se ku kanë shkuar paratë për mirëmbajtje dhe riparim të veturave zyrtare në këtë Komunë, ishin disa nga vërejtjet që bënë paritë opozitare.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK- së në Podujevë, Rafet Llapashtica për shpenzimet e bëra brenda këtij tre mujori, tha se edhe pse nuk janë shuma të mëdha parash, do duhej që të tregohej saktësisht se ku kanë shkuar ato para publike.
Shpenzimet prej 1 mijë e 129 eurosh telefoni mobile duke përjashtuar ato fikse, Llapashtica i quajti të pa arsyeshme pasi që sipas tij komunikimi i brendshëm institucional dhe zyrtar është pa pagesë.
“Shpenzimet e telefonisë fikse janë të arsyeshme kurse të asaj mobile jo sepse për arsye se komunikimi i brendshëm institucional edhe zyrtar është pa pagesë dhe është një marrëveshje mes operatorit Vala dhe kuvendeve komunale ekzekutive që ne të komunikojmë pa pagesë” tha ai.
Llapashtica, përveç që kërkoi nga drejtori i Administratës, Fatmir Gashi që të bëj publike se për çfarë janë harxhuar këto para të telefonisë mobile, ai kërkoi nga Gashi që të tregojë se kujt i janë paguar edhe 2 mijë e 154 euro për mirëmbajtje dhe riparimin e veturave zyrtare në këtë komunë.
Çështja tjetër e cila u ngrit nga Llapashtica ishte edhe shuma e lartë e drekave zyrtare të kësaj komune. Sipas tij duke parë shumën prej 1 mijë e 358 eurosh dreka zyrtare i bie që brenda tre muajsh në Podujevë kanë qenë 15 delegacione.
“Ne të gjithë e dimë që në komunën tonë nuk kemi pasur ndonjë delegacion të numrit të madh përmbi 10 vetë në delegacion që po ta marrim koston e një dreke që kish me qenë maksimumi i një racioni 10 euro edhe dy tri pijeve në atë racion që personat zyrtarë zakonisht të nivelit të lartë nuk pinë pije alkoolike edhe duke e përfshirë çmimin e një pije në restorantin më të shtrenjtë në Podujevë që kushton 1 euro, d.m.th diku 1358 euro, unë i kam kalkuluar që ekzekutivi është dashur ti ketë përmbi 15 delegacione zyrtare me përmbi 12 njerëz për ta bërë këtë pagesë. Unë e di që këto vizita s’kanë qenë në Podujevë, s’kanë qenë zyrtare e as mediale” tha Llapashtica.
Lidhur me këtë edhe këshilltari i Lëvizjës Vetëvendosje, Fahri Selimi ishte kritik ndaj shumës së madhe për dreka zyrtare. Ai tha se shuma prej 10 eurosh për një racion është e panevojshme pasi që mesatarja e një racioni në Podujevë është 7 euro. Dhe duke u bazuar në shumën e harxhimeve, sipas tij i bie që për tre muaj në Podujevë janë ngrënë 194 dreka zyrtare.
“Dreka mesatare është 7 euro dhe nuk ka pasur nevojë që me harxhu aq shumë që me ngrënë me 10 euro. Nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë prej këtyre mjeteve edhe e pjesëtojmë me 7 euro një drekë, i bie që për këta tre muaj janë ngrënë 194 dreka zyrtare. Nëse prapë e bëjmë një kalkulim dalin 3 dreka zyrtare në ditë” tha Selimi.
Ndërsa, lidhur me shpenzimet e telefonisë mobile dhe mirëmbajtjen e veturave zyrtare, edhe Selimi hodhi një varg kritikash ndaj drejtorisë gjegjëse e cila nuk ka specifikuar se ku kanë shkuar ato para.
Se ka vërejtje në këto pika, tha edhe këshilltari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nexhat Llumnica, i cili tha se “uroj që herëve të ardhshme ky raport të jetë më në rregull ashtu siç i ka hie një raporti në një vend demokratik.”
Mirëpo, edhe pse disa nga këshilltarët e partive opozitare kishin pyetje për drejtorin e Administratës, Fatmir Gashi, të cilat kishin të bënin me shpenzimet komunale brenda këtij 3 mujori, ata sërish mbetën pa përgjigje. Arsyetimi i Gashit ishte se nuk kam këtu para vetes ndonjë dokument për ta ditur saktësisht për këto para se ku kanë shkuar dhe se në seancën e ardhshme do ti ofroj edhe këto të dhëna./Llapi.info