Rrugët dhe trotuaret e dëmtuara në shumë raste janë duke krijuar probleme për banorët e Komunës së Podujevës. Dhe kjo, jo vetëm për shkak të punimeve të dobëta por edhe për shkak sepse ato janë duke u rihapur herë pas here. Në të shumtën e rasteve këto ndërhyrje janë duke u bërë nga Kompanitë Publike të cilat operojnë në këtë qytet për shkak të shtrimit të kabllove të ndryshme, shkruan Llapi.info.
Kjo gjendje jo e mirë përveç që është duke penguar qytetarët, nuk po u pëlqen as drejtueseve të Komunës së Podujevës. Kjo pasi që sipas tyre kompanitë publike nuk po i rindërtojnë asnjëherë trotuaret.
I pari i cili ngriti këtë shqetësim ne Kuvendin Komunal të Podujevës ishte këshilltari i PDK- së, Flakron Gashi. Ai tha se trotuaret e ndërtuara në afërsi të shkollës në fshatin Bajqinë janë shkatërruar tërësisht, ani pse nuk ka dy vite që ato janë ndërtuar.
“Nuk është dy vite apo dy vite e gjysmë që trotuaret afër shkollës në fshatin Bajqinë janë rregulluar, ka punuar një kompani dhe më e keqja e saj që është, trotuaret nuk janë kthyer në gjendjen e më hershme dhe unë nuk besoj që ato trotuare do ti qëndrojnë edhe këtij dimri dhe në pranverën e ardhshme ato do të jenë tërësisht të shkatërruara” tha ai.
Se trotuaret janë duke u shkatërruar dhe nuk janë duke u rikthyer në gjendjen e tyre të më hershme tha edhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim Faik Muçiqi.
Ai tha se trotuaret të cilat janë ndërtuar para dy vitesh nga Ministria e Infrastrukturës në këtë fshat, janë shkatërruar nga kompanitë publike dhe se për këtë kanë bërë edhe një raport ndaj tyre.
“Në një pjesë të trotuarit që e ka punuar Ministria e Infrastrukturës para dy ose tri viteve kur ka qenë, është duke punuar kompania publike ndaj të cilës edhe ne kemi bërë raport që janë duke e dëmtuar tërësisht atë trotuar që ka qenë. Mirëpo nuk është vetëm ai trotuar por ne kemi edhe telashe të tjera me kompanitë publike në infrastrukturë dhe është kërkuar nga to që ti rindërtojnë ato trotuare. Edhe unë kam qenë në ato pjesë ku janë dëmtuar ato trotuare dhe i kam parë se janë të dëmtuara pothuajse tërësisht. Nuk është duke e punuar kompania jonë është PTK- ja me një pjesë të KEDS- it që po punojnë” ka thënë ai.
Përveç problemeve me PTK- në, KEDS- in dhe kompani të tjera, Muçiqi tha se kemi probleme edhe me ujësjellësin.
“Kompanitë publike në përgjithësi nuk janë duke i rikthyer në gjendjen e më pashme infrastrukturën publike të komunave qoftë asfaltin qoftë trotuaret. Kemi këtu probleme edhe me ujësjellësin por iu është kërkuar punë kryerësve dhe punëdhënësve që atë trotuar ta rindërtoj sepse është shumë i dëmtuar” ka thënë Muçiqi./Llapi.info