Në sallën e Kuvendit të Komunës në Podujevë është hapur ekspozita në lidhje me vlerësimin preliminar të tokës në Komunën tonë, shkruan kumtesa komunale, njoftoon Llapi.info.

Në hapje të ekspozitës, e cila do të jetë e hapur 30 ditë, ishin të pranishëm nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, drejtori i Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi si dhe përfaqësues të projektit Vlerësimi i tokës për qëllime të tatimit në pronë.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari tha se është hera e parë që toka në komunën tonë do të ketë një vlerë zyrtare.
“Ministria e Financave, me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë, ka ndërmarrë një projekt për vlerësimin e të gjithë tokës në Kosovë”, tha nënkryetari Rudari.

Nënkryetari Rudari tha se qytetarë e Komunës së Podujevës në këtë ekspozitë mund të shohin rezultatin e vlerësimit preliminar dhe se si është bërë ai.

Përfaqësuesi i projektit SIDA, që mbështetet nga Qeveria Suedeze dhe me përkrahjen e Ministrisë së Financave, Agron Qerkini, tha se në ekspozitë qytetarët do të mund të gjejnë vlerën preliminare të tokës suaj, si është kategorizuar parcela juaj dhe shumë më shumë informata.

Ai ftoi qytetarët që të vizitojnë ekspozitën dhe të njoftohen në lidhje me vlerën e parcelës së tyre, si dhe të japin komentet vërejtjet rreth rezultateve preliminare të vlerësimit.

Në hapje të ekspozitës u tha se një prej arsyeve të vlerësimit të tokës është se ajo do të tatimohet në të ardhmen.

Ekspozita në ndërtesën e Kuvendit Komunal dhe do të qëndrojë e hapur për një muaj.