Mungesa e hapësirave për parkingje në Podujevë, ka bërë që qytetarët e kësaj komune të parkojnë veturat e tyre vende pa vende. Pjesë e parkingjeve të tyre janë edhe rrethrrotullimet në qytet.

Rrethrrotullimi te ish-Elektro Kosova në Podujevë, përveç që shfrytëzohet për qarkullim të automjetve, ai shfrytëzohet edhe për parking të veturave. Çdo ditë parkohen dy deri tri vetura të ndryshme. Por, kjo bie ndesh me ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor, i cili e ndalon parkimin e automjeteve në rrethrrotullime. Neni 96 i këtij ligji, pika d, thotë: “Ndalohet ndalja ose parkimi i mjetit në kryqëzim dhe në largësi më të vogël se pesë metra nga skaji më i afërt i rrugës tërthore”.

Isak Ejupi, komandant i Stacionit Policor në Podujevë, tha se parkimi i veturave në rrethrrotullime është e ndaluar me ligj.

“Rrethrrotullimi llogaritet si udhëkryq, dhe parkimi i automjetve në rrethrrotullime bie ndesh me ligjin. Në mungesë të personlit nuk mund ta kontrollojmë çdo ditë atë pjesë të rrugës, por, numri i gjobave që kemi shqiptuar dhe automjetet që i kemi marrë me marimangë për shkak të parkimit të veturave në rrethrrotullim është i madh”, ka thënë Ejupi.

Ata që e shkelin ligjin për ndalimin dhe parkimin e mjetve në kryqëzim dënohen me gjobë prej 25 €, sipas nenit 96.3 të ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor.

“Për kundërvajtje, dënohet me gjobë prej 25 €, shoferi i mjetit që vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni”./Llapi.info

11

44