Edhe pse ditë më parë kryesia e KF Llapit njoftoi se grumbullimi i tifozëve “Legjendat” do të bëhet nga palestra sportive “Hakif Zejnullahu” dhe jo nga qendra e qytetit ku bëhet zakonisht, sot kjo kryesi përmes një statusi në faqen zyrtare të klubit ka bërë me dije se tubimi i tifozëve do të bëhet në shesh të qytetit, transmeton Llapi.info.
Në njoftimin e klubit nga Podujeva thuhet se takimi i tifozëve do të bëhet nga ora 12:00./Llapi.info
Ja edhe postimi i plotë i KF Llapit:
Të nderuar Llapjan, të mërkuren me datë 31 maj 2017 nga ora 16:30, klubi i qytetit FC LLAPI do luaj ndeshjen vendimtare të sezonit, Finalja e Digitalb Kupës, ndaj KF Besës në stadiumin “Riza Lushta”, Mitrovicë. Ju bëjmë thirrje të gjithë juve qytetar të Podujevës, tifozë Legjenda, intelektualë, mësues, doktor, të papunë, penzionera pra me një fjalë të gjithë ju që ndjeni pasion për klubin bardhekaltër, të merrni pjesë që të gjithë së bashku ta përkrahim klubin e zemrës drejt misionit Europa.
Takimi i tifozëve bëhet nga ora 12.00 tek Sheshi i qytetit dhe pastaj në mënyrë të organizuar udhëtojmë drejt Mitrovicës në numër sa më të madh për të përkrahur skuadrën e zemrës, FC LLAPIN drejt ‘Europa League’