Fshatrat e komunës së Podujevës, ka kohë që po përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Reduktimet e mëdha në këtë mot të ftoftë kanë sjellë telashe për banorët e këtyre fshatrave në këto dhjetë ditë e fundit. Reduktimet janë 3 me 3 ose 4 me 2 në favor të territ.
I.K., banor i fshatit Majac të Podujevës, përmes një e-maili dërguar portalit informativ “Llapi.info”, ka treguar se në këtë fshat është një gjendje e jashtëzakonshme. Përveç vërshimeve të ujit në këtë fshat, ata po përballen edhe me mungesë të energjisë elektrike.
Ai ka treguar se asnjë nga zyrtarët komunal nuk ka shkuar për t’i vizituar.
“Zyrtarët nga komuna e Podujevës nuk kanë ardhur dhe jemi mbetur të bllokuar dhe pa energji,” ka shkruar ai.
Ndërsa, zyrtarët komunal nuk u janë përgjigjur telefonatave të redaksisë për t’u prononcuar për këtë çështje.
Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, në një prononcim për RTK-në ka pranuar se në ditët e fundit furnizimi me energji elektrike ka qenë i paqëndrueshëm. Thotë se kjo gjendje erdhi për shkak të ngritjes së konsumit pas rënies së temperaturave. Ai kërkon mirëkuptim, meqë thotë se Kosova nuk ka rezerva energjetike në raste emergjente. Sipas tij, gjendja do të përmirësohet pasi thotë se është siguruar energji e mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve gjatë ditëve në vijim.
Gjendje e tillë e reduktimeve të energjisë elektrike është duke vazhduar edhe në qytet dhe fshatra tjera të Podujevës./llapi.info