Organizata Qatar Charity nga Katari ka hapur aplikimin për fëmijët jetim të cilët do të kenë mundësi të fitojnë fonde përmes regjistrimit të tyre në degët e kësaj organizate.

Blerim Arifi, përgjegjës i Organizatës Qatar Charity, ka thënë se në këtë fazë nga Katari na kanë kërkuar 1000 fëmijë jetim për t’ju ndihmuar, pensioni i të cilëve do të jetë mesatarisht 35 euro në muaj.

“Organizata Qatar Charity ka 1400 jetim në përkujdesje për momentin. Nga Katari na kanë kërkuar edhe 1000 jetimë. Kështu, i kemi hapur edhe komunat ku nuk kemi pasur qasje, si në Ferizaj, Viti, Kaçanik dhe Prizren, për t’i mbledhur dokumentat edhe për fëmijët jetimë të këtyre komunavë, në mënyrë që t’ua japim një pension me vlerë mesatarisht 35 euro” ka thënë Arifi në emisionin “Sytë 7” të Klan Kosovës.

“Këta fëmijë do të kenë mundësi të fitojnë këto pensione deri në moshën 18 vjeçare. Çdo muaj nga 50.000 euro bëhen transfer për fëmijët jetim në tërë Kosovën. Organizata Qatar Charity, u ndihmon edhe studentëve jetimë të cilët janë të suksesshëm në shkollim”, ka shtuar Arifi.

Kushtet për aplikim janë:

Fëmijët të cilët nuk e kanë prindin (babën) duhet të i plotësojn disa dokumenta, ata duhet të jenë nga komunat në të cilat organizata ka qasje, si: Ferizaji, Vitia, Kaçaniku, Prizreni, Prishtina, Skenderaji, Obiliqi, Podujeva, Lipjani, Shtime, Fushë Kosovë, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë dhe Pejë.

Dokumentet që nëna e fëmijës duhet të i dorzojë janë: çertifikatën e lindjes së fëmijës, çerfitikatën e vdekjes së prindit, çertifikatën e bashkësisë familjare, leternjoftimin e nënës apo të përgjegjësit të fëmijës, librezen e shkollës me fotografi, si dhe një kopje të xhirollogarisë së bankës NLB, ku do të bëhet edhe transferi i mjeteve.

Nëse nga një familje janë më shumë se një jetim, të gjithë ata do të marrin nga 35euro mesatarisht. Kjo vlerë në disa raste arrin deri në 80 dhe 100 euro në muaj.

Afati për aplikim është deri të enjtën. Në këtë fazë do të përfitojnë 1000 jetimë, ku numri i aplikuesve deri tani është 250.

Dorëzimin e dokumentave mund ta bëjën në degën e Prishtinës. Adresa: Rr. “Abdyl Frashëri”, Bregu i Diellit, Prishtinë. Fëmijët të cilët janë nga Skenderaji dhe Drenasi, aplikimin e tyre mund ta bëjnë në degët e qyteteve të tyre.

Kjo organizatë ka filluar aktivitetin e saj në Kosovë që nga paslufta, nga viti 2000./Llapi.info