Bari i dendur ka mbuluar gjithçka në luginën poshtë tri kodrave – në lindje e në veri në drejtim të fshatit Llapashticë e Epërme, e në perëndim në drejtim të fshatit Popovë të Podujevës.
Këtë gjelbërim e kanë mundësuar edhe reshjet e bollshme në këtë pranverë të sivjetme, por edhe uji që gjendet poshtë e që nuk trerron. Atij që i takojnë 2 hektarë të këtyre livadheve prej rreth 100 sa janë gjithsej e ka të vështirë të dalë në këtë pjesë të Popovës.
Prej restorantit që është pronë e tij, që gjendet në rrafshinën e fshatit, rrugën tjetër duhet bërë në këmbë përpjetë kodrës nëpër baltë përmes shkurreve të lajthive e ahishtave, për të zbritur pastaj poshtë në livadhe.
Në këtë terren gjelbërues është e vështirë të gjesh gurët e një varri afër 200-vjeçar të vjetër, i cili është bërë sebep t’u ndërrohet titullari këtyre livadheve që administrativisht dikur i takonin fshatit Llapashticë e Epërme. Askush nuk e di me saktësi se kur ka ndodhur.