Qytetarët e Podujevës po ankohen se orari për pastrimin e asfaltit nga ora 22:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit të cilin kompania “Pastrimi” së bashku me komunën e Podujevës e kanë zgjedhur, nuk është i përshtatshëm pas që sipas tyre në orët e para të mbrëmjes komunikacioni është i dendur.
Pastrimi i asfaltit në qytet nga ora 22:00 po bënë që veturat e qytetarëve të ndoten nga balta e asfaltit të pastruar.
Por, drejtori i kompanisë “Pastrimi” në Podujevë Shaban Beselica, tha se qytetarët duhet ta dinë se veturat duhet parkohen në parkingje dhe jo në trotuare duke thënë se ato që janë të parkuara në trotuare dhe skaj rruge është e pamundur të mos lagen.
Ai gjithashtu përmendi kontratën me komunën, në të cilën kompania e ka orarin që pastrimi të bëhet nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.
“Qytetarët duhet ditur se duhet parkuar veturat në parkingje jo në trotuar. Ne në kontratë me komunë e kemi në ora 22:00 deri në ora 06:00. Nuk ka shanse që para orës 22:00 me dalë në teren. Bile në ramazan deri në ora 24:00 nuk kemi dalë sepse ka qenë kallabllak. Nëse del në qytet i sheh veturat qysh janë nëpër qytet, ato nuk kanë shanse pa u stërpikë dhe lagur ngapakë.”, tha ai.
Rruga Zahir Pajaziti në qytet sipas Beselicës pastrohet ditën e enjte dhe të djele ndërsa rrugët tjera, sipas tij pastrohen varësisht sipas nevojave.