Kultivuesit e mjedrës në Podujevë janë të kënaqur me rendimentin sivjet, por ankohen për çmimin e ulët në treg, njofton Llapi.info.

Para disa ditësh Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka ftuar fermerët që të protestojnë duke ju dalur ata vetë në përkrahje.

Luljeta Bajrami nga fshati Mirovc i Podujevës, bashkë me familjarë, zgjohen ne orën 5 të mëngjesit për te vjelë mjedrat.

Ajo thotë se ky është viti i dytë që e kultivon këtë kulturë bujqësore dhe se krahasuar me vitin e kaluar, sivjet është e kënaqur me rendimentet, ndonëse me çmimin që është ne treg nuk është shumë e kënaqur.

Edhe kultivuesi tjetër, Ahmet Zeqiri, është i brengosur për çmimin e ulët prej 1 euro për kilogram. Ai thotë se duhet të rritet çmimi përndryshe sipas tij duhet të heqin dorë nga prodhimi i kësaj kulture.

Në Komunën e Podujevës thonë se kryetari Agim Veliu është takuar me pronarët e pikave grumbulluese, nga të cilët ka kërkuar që të kenë çmim real për mjedrën.

Sipas Avni Fetahut, drejtor për bujqësi në Podujevë, në këtë komunë  janë të mbjellë 1000 hektarë me mjedra, 42 hektarë me dredhëza, 25 hektarë me aronia dhe 12 hektarë me boronicë.