Për shkak të ndryshimit të papritur të çmimeve në bursën ndërkombëtare, mijëra tonë me mjedër janë bllokuar nëpër pikat grumbulluese në Kosovë. Nëse nuk ndërhyn shteti, kjo kulturë bujqësore për sivjet rrezikon të shuhet.
Sipas kultivuesve dhe atyre që e grumbullojnë mjedrën, çmimet në bursën ndërkombëtare kanë rënë së tepërmi, duke u pamundësuar kompanive përpunuese të mjedrës që ta eksportojnë ketë produkt.
Çmimi për një kilogram mjedër nga 1 euro e 80 cent sa ka qenë vitin e kaluar, për sivjet është grumbulluar tek kultivuesit e mjedrës me çmim prej 80 cent. Por ka pasur raste kur mjedrat janë grumbulluar edhe me 40 cent për kilogram.
Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek kultivuesit e mjedrës. Ata fajësojnë pikat grumbulluese se po e marrin mjedrën me çmim shumë të lirë, derisa këta të fundit fajin e hedhin tek rënia e çmimit në bursën ndërkombëtare.
E vetmja këtu që nuk ka ndërhyrë ende është Ministria e Bujqësisë.
Përpunuesit e mjedrës: Jemi bllokuar
Sipas Visar Aliut, menaxher në kompaninë “Besiana G”, e cila e grumbullon mjedrën në këtë rajon, nëse nuk do të ketë ndonjë ndërhyrje nga shteti, atëherë rrezikohet i gjithë malli i grumbulluar.
Për momentin, kjo kompani ka stoqe me mjedër 150 tonë. Aliu thotë se çmimin e mjedrës në bursë kryesisht e kushtëzon Polonia, meqë është ndër eksportuesit më të mëdhenj në tregun e evropian.
Sivjet ky shtet por edhe Gjermania kanë hyrë në treg me çmime të lira, duke i dëmtuar vendet e vogla si Kosova që ka vetëm 1 mijë hektarë të mbjella me këtë kulturë bujqësore.
“Tregu për momentin është i bllokuar. Ne i kemi si vend vetëm 1 mijë hektarë kurse Polonia i ka 90 mijë hektarë të mbjella me mjedër, prandaj edhe i kushtëzon çmimet në berzë”, ka thënë Aliu.
Kjo kompani sivjet e ka grumbulluar mjedrën me 80 cent, por në raste edhe 1 euro për kilogramë, ndryshe nga viti i kaluar kur çmimi për kilogram ka qenë 1 euro e 80 cent.
Megjithatë Gazeta Fjala ka siguruar fatura nga disa kultivues ku shihet se në një rast kjo kompani ua ka marr mjedrën edhe me çmim prej 40 cent për kilogram.
Aliu këtë e sqaron me faktin se kjo ka ndodhur vetëm me një rast dhe sipas tij për shkak se fermeri i ka pasur mjedrat e dëmtuara.
“Kjo ka ndodhur vetëm me një rast. Fermeri i ka pasur mjedrat e dëmtuara për të mos thënë krejtësisht të dëmtuara. Ne ia kemi marr me ketë çmim që të mos e lëmë pa asgjë. Çmimi zyrtar është 80 cent dhe 1 euro për kilogram”, ka shpjeguar Aliu.
Ai tregon se për këtë problem kanë qenë në disa takime me ministrin e Bujqësisë, por nuk ka diçka konkrete ende.
Probleme ka pasur edhe kompania tjetër grumbulluese “Agroproduct Commerce” nga Podujeva. Pronari i saj Avni Shabani thotë për Gazetën Fjala se rënia e çmimit në berëzën ndërkombëtare për mjedrën e ka çrregulluar krejtësisht tregun në Kosovë.
“Sivjet për shkak të këtyre problemeve mjedrën e marrim me çmim prej 1 euro për kilogram”, ka thënë Shabani.
Shabani ka pranuar se gjendja është aq e keqe sa nuk po arrin t’i kryej obligimet as ndaj kultivuesve të mjedrës. Dhjetëra fermerë janë ankuar në Gazetën Fjala se kompanitë grumbulluese nuk po i paguajnë.
“Është e vërtetë që kemi probleme me pagesa pasi kemi shumë sfida. Janë sfidat e përpunimit, gjetja e tregut, konkurrenca jolojale nga Serbia dhe Polonia”, ka thënë Shabani.
Megjithatë Shabani thotë se sivjet sipas të gjitha gjasave do të arrij të eksportoj diçka. Shumë nga sasia e mjedrës së grumbulluar e ka të kontraktuar. Por krahasuar me vitin e kaluar kjo është shumë më pak.
“800 tonë i kemi eksportu vitin e kaluar, për sivjet i kemi vetëm 1500 tonë të kontraktuara”, thotë Shabani.
Kultivuesit të pakënaqur me çmimin
Kultivuesit e mjedrës nuk janë fare të kënaqur me çmimet, madje disa thonë se nuk do ta kultivojnë më këtë kulturë me këtë çmim. Ata akuzojnë kreun e pikës grumbulluese, Avni Shabanin se nuk ua jep pagesën me kohë dhe se ende nuk ua ka dhënë paratë e vitit të kaluar.
Fiton Bajrami, kultivues nga Komuna e Podujevës tregon se vitin e kaluar kishte të mbjellura 70 ari me mjedër dhe se çmimi fillestar ishte 1 euro e 75 cent, por më vonë ishte ulur për 45 cent.
“Çmimi ka startu 1.75 cent , por ka ra për çdo dit, deri 1.30 cent”, ka thënë Bajrami për Gazetën Fjala.
Bajrami thotë se ka një javë që ka filluar me shitjet e mjedrës, por ende nuk i ka marrë gjysmën e parave të shitjes së vitit të kaluar.
“Kam filluar që një javë me shitjet edhe kanë startu me 1 euro. Edhe këtë herë kanë me ra sigurt 0.80 pas një kohe se çdo vit ia bëjnë kështu. Bile hala nuk na i kanë dhanë gjysmën e parave të vitit të kaluar”.
Ai thotë se është shumë i pakënaqur me këtë çmim dhe se nuk do të merret asnjë sekondë më me kultivimin e kësaj kulture.
Arlind Haxhiu, nga po kjo komunë ka të mbjellura 70 ari me mjedër dhe thotë se për këtë sipërfaqe ka marrë mbështetje nga Ministria.
Por, edhe Haxhiu thotë se çmimi nuk është i kënaqshëm, sidomos për ata që kanë angazhuar punëtorë.
“Çmimi nuk është i kënaqshëm, në krahasim me vitin e kaluar që ka qenë 1 euro e 30 cent. Ky çmim nuk është i mirë, sidomos për ata që kanë angazhuar punëtorë.” /Gazeta Fjala/