Disa banorë të Lagjës se Kuvajtit duke marrë vërtetima të rremë si veteran dhe invalid i luftës arritën të sigurojnë nga një shtëpi të re në fazën e parë të shpërndarjes së shtëpive të reja në Lagjën e Kuvajtit. Këtë e ka thënë një banor i kësaj lagje, derisa, një gjë të tillë e ka pranuar edhe kryetari i komisionit për ndarjen e shtëpive, Avni Ajeti.

Faza e parë e shpërndarjes së shtëpive në Lagjën e Kuvajtit ishte e paraparë për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe viktimave të luftës. Komisioni për ndarjen e këtyre shtëpive përbëhej nga: Avni Ajeti, kryesues i komisionit, Haki Rudari nga LVV, Kadri Avdiu nga PDK, dhe i ndjeri Ruzhdi Dema, i cili ishte zyrtar për çështjet e strehimit.

Por, jo gjithçka ka shkuar sipas rregullores që ka miratuar kuvendi për ndarjen e këtyre shtëpive më 27 maj 2014.

I.I, banor i Lagjës se Kuvajtit, tregon se si disa persona fituan shtëpitë duke falsifikuar dokumentat.
“Përpos familjarve të dëshmorëve kanë përfitu edhe dhënuert e tyre në këto shtëpia. Ka i kanë marrë vërtetimat, kush është ai që i ka lëshu vërtetimat na i dim. Ata janë banor të kësaj lagjeje. Kriteret janë pikë së pari: përpos nënës, babës, gruas edhe fëmijës, për çdo të vrarë, vllau, motra, dhëndri apo kush do qoftë tjetër nuk mundet me qenë përfitues. Këtu ka përfitu familja e tina, gruaja që ju ka vra burri, në anën tjetër kanë përfitu edhe dhënuert e tyre. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve, Fadil Mulliqi, i ka lëshu vërtetimat që është vetran i luftës, edhe pse nuk ekziston askund emri i tij si veteran”, ka thënë ai.

Fadil Mulliqi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve, nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka shanca të ketë ndodhur një gjë e tillë.

Ndërsa, kryesuesi i komisionit për ndarjen e shtëpive, Avni Ajeti, ka pranuar se ka ndodhur një gjë e tillë.
“Janë disa raste që i kemi identifikuar, por nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Sepse, ata vërtetima i ka lëshuar departamenti i familjeve të dëshmorëve në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, dhe nuk ka qenë kompetencë e jona që të bëjmë diçka, pasi ata persona i kanë pasur vërtetimat e lëshuar nga departamenti përgjegjës”, ka thënë Ajeti.

Ai ka treguar se u ka kërkuar këtyre personave të dërzojnë edhe librezat e invalidëve, por, një gjë të tillë nuk kanë mundur ta bëjnë, pasiqë nuk i kanë poseduar.

Se vlerësimi i vërtetimave nuk ka qenë kompetencë e komisionit e ka thënë edhe anëtari i komisionit nga LVV, Haki Rudari.

“Sa i përket vërtetimave të luftës ne nuk kemi pas kompetencë me vlerësu validitetin e tyre, ngase shoqatat e luftës e kanë për detyrë me pru listën e veteranëve apo invalideve të luftës edhe pse ju kemi thënë si komision se përgjegjësin për ndonjë lëshim e bartni ju” ka thënë Rudari.

Ndërsa, Kadri Avdiu, anëtar i komisionit nga PDK, përmes një prononcimi telefonik ka thënë se nuk beson të ketë ndodhur një gjë e tillë.

Në Lagjën e Kuvajtit janë ndërtuar 50 shtëpi, ku 30 prej tyre tashmë janë të banueshme, ndërsa, 20 të tjerat janë në përfundim./Llapi.info

SAMSUNG CSC