Ka një muaj që uji në lumin “Dumnica” i cili kalon për në Shtedim, Sfeqël, Dumosh dhe Sibofc të Podujevës është duke u ndotur nga një ngjyrë e bardhë burimi i të cilës nuk dihet por po i shqetëson banorët e asaj ane, shkruan Llapi.info.

Qytetari (emër i njohur për redaksinë) ka paraqitur shqetësimin e tij tek Llapi.info duke thënë se në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe inspektorët por nuk kanë mundur ta zbulojnë se nga po rrjedh kjo. Por dyshimet e tyre janë se kjo po vjen nga derdhja e ndonjë substance kimike.

Por, drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Podujevës Florie Besholli ani pse fillimisht ka mohuar daljen e inspektorëve në këtë vend, ajo më pas tha se kanë dalur në vendin e ngjarjes por sipas inspektorëve nuk ka qenë dicka shqetësuese.

“Nuk është e vërtetë që kanë qenë inspektorët dhe nuk e kanë ditur se nga po rrjedh ajo. Edhe kur nuk e dimë nga po rrjedh ne i thërrasim inspektorët e mjedisit sepse sjemi të autorizuar ti bëjmë analizat e ujit dhe ata e konstatojnë ata në bazë të analizave të ujit..”, tha ajo.

Por më pas ajo ka treguar ka pasur ankesa lidhur me këtë dhe kanë dalë inspektorët në teren.

“Shumë mirë që na lajmëruat sepse unë po të tregojë njëherë ka qenë një ankesë dhe kemi dalur dhe e kemi parë rastin por nuk ka qenë një rast i cili ka qenë sipas inspektorëve, por në qoftëse edhe tash une mendoj që tash brenda ditës e kqyrim i thërrasim edhe ata edhe e verifikojmë ujin, sepse ne nuk mundemi me dhënë përgjigje nuk e dimë nga po vjen, qoftë se se dimë ne na duhet ndihmë nga ata që i kemi”, tha ajo.

Besholli ka siguruar banorët që sot ose nesër do të dalin inspektorët në teren dhe do ta trajtojnë këtë problem për tu gjetur zgjedhje banorëve.

Lumi i cili kalon në Dumnicë lidhet me lumin Llap në fshatin Lluzhan të Podujevës.