Pikat grumbulluese të mjedrave në Podujevë po i detyrojnë fermerët e mjedrës të presin deri në një vit për pagesën e mallit të tyre, shkruan Llapi.info.
Në një dokument të dërguar nga një fermer shihen pikat të cilat pika grumbulluese “agroproduct commerce” i ka shkruar për ata fermerë që duan ti shesin mjedrat e tyre, ku thuhet:
-shitjet fillojnë nga muaji shtator 2017 dhe zgjasin deri në maj të vitit 2018;
-nëse fermeri nuk e sjell numrin e NIF-it, atëherë është i obliguar që të paguajë taksën në grumbullim prej 3% që nënkupton se nga pika grumbulluese do ti paguhet -3% nga vlera totale e produktit.
Në deklaratën e siguruar nga Llapi.info thuhet se fermeret duhet të presin për pagesë të mjeteve nga produktet e mjedrës deri në shitjen e tyre nga kompania “Agroproduct Commerce SHPK”.
Në rast se fermerët nuk presin dhe duan të tërheqin mjedrat e tyre nga pika grumbulluese ata humbasin 20% të produktit.
Këtë e ka konfirmuar edhe kompania, të cilët kanë thënë se ata nuk kanë mundësi që t’ua japin paratë menjëherë por me rastin e shitjes së produktit paguhet edhe fermeri.
“Qëllimi është se fermerët kur ta kryejnë sezonin nuk presin më për para por duan ti marrin menjëherë për ti marrë parat, pa u shitur malli. Tani për momentin ne nuk kemi mundësi që tua japim paratë menjëherë kështu që në rast të shitjes i paguhet edhe fermerit, për atë arsye është bërë këtë deklaratë.
Pagesa u bëhet kur shiten mjedrat.”
Kjo i ka bërë fermerët të ankohen se nuk po kanë më çka t’i paguajnë punëtorët gjatë sezonës./Llapi.info.