Komisioni për Informimin i Lidhjës Demokratike të Kosovës, dega në Podujevë, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka filluar me procesin e brendshëm zgjedhor.

“Procesi zgjedhor tashmë ka filluar nëpër disa nëndegë, ku janë mbajtur kuvendet zgjedhore, konform orareve të përcaktuara dhe të koordinuara nga Kryesia e Degës së LDK-së në Podujevë me kryesitë e nëndegëve”, thuhet në komunikatë.

Ky komision përmes kësaj komunikate ka ftuar anëtarët e saj të marrin pjesë në zgjedhje, siç e kanë quajtur ata, garë demoraktike dhe gjithëpërfshirëse, dhe u ka bërë me dije personave që kanë interesa të caktuara kundër LDK-së në Podujevë se nuk do të kenë vend në procesin zgjedhor të brendshëm.

“LDK në Podujevë i fton të gjithë anëtarët e saj të marrin pjesë në kuvendet zgjedhore, të bëjnë garë demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Por njëkohësisht ua bën me dije të gjithë atyre, të cilët vijnë në kuvendet e nëndegëve me detyra e agjenda të paracaktuara dhe kundër interesave të LDK-së në Podujevë se nuk do të ketë vend për ta në këtë proces.

Kryesia e LDK – së në Podujevë është e përkushtuar që së bashku me strukturat e saj të organizojë zgjedhje të rregullta dhe korrekte të cilat do të zhvillohen në frymën e rregullativës së brendshme për zgjedhjet, të aprovuar nga organet më të larta të partisë dhe kësisoji garanton proces të rregullt e demokratik”, thuhet në komunikatën e LDK-së, dega në Podujevë./Llapi.info