Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka në plan të përfill afatin e Behgjet Pacollit, i cili ka kërkuar nga Vetëvendosje e LDK të arrijnë një marrëveshje politike për formim të institucioneve.
Nënkryetari i këtij subjekti, Agim Veliu ka thënë se LDK nuk e ka në plan të nis takimet me zyrtarë të Vetëvendosjes të paktën jo në këtë fazë.
I kontaktuar nga ‘Indeksonline’, ai ka thëne se konsultat do të mund të nisnin vetëm pasi PAN-i, do të dështonte në formimin e institucioneve, transmeton Llapi.info.
“Në këtë fazë nuk e shoh të nevojshme me bisedu me një subjekt, i cili nuk e ka të drejtën e formimit të institucioneve. Me fillu me bisedu kjo mund të keqkuptohet. Ne po luajmë rol konstruktiv. Ne po i bëjmë ftesë koalicionit të parë qe ka dalë me u konsultu me të gjitha partitë tjera”, ka thënë Veliu.
I pyetur, nëse AKR do të mund të largohet nga koalicioni me LAA, kryetari i Podujevës ka thënë se Pacolli i bën llogaritë e veta, megjithatë thotë se do të ishte mirë që ai të qëndron në koalicion.
Duke e komentuar deklaratën e Pacollit se nuk mund ta mbajë të bllokuar Kosovën, Veliu ka thënë se Pacolli nuk është ai qe po e mban peng, por as nuk mund ta zhbllokoj.
“Pacolli nuk e di qe po e mban peng Kosovën. Ai nëse e mban peng nuk është mirë. Nuk është në pozicion me mbajt peng ose me zhblloku. Nuk po shoh qe është zhbllokim i situatës lëvizja e Pacollit me një shumicë kaq të dobët. Nuk e di çfarë vendimesh mund të merren”, ka shtuar ai.
Tutje, Veliu ka thënë se mënyra se si po përpiqet koalicioni PAN ta bëjë shumicën është e dëmshme për vende.
Sipas tij, një qeveri më 61 deputetë nuk do të mund të merrte vendime të mëdha për vendin.
Tanimë po bëhen pesë ditë nga deklarata e Pacollit ku ka kërkuar nga VV e LDK t’i intensifikojnë takimet për arritjen e një marrëveshje. Nëse LDK e VV nuk merren vesh, atëherë ai ka lënë mundësinë e hapur qe t’i bashkohet koalicionit PAN.