Sot, në komunën e Podujevës është mbajtur trajnimi për kultivimin e Mjedrrës me titullin “ Mundësi të reja për Bujqësi”. Trajnimi është organizuar nga USAID.
Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, tha se ndjehet mirënjohës që USAID-i ka zgjedhur komunën e Podujevës për të mbajtur këtë trajnim kaq të vlefshëm.
“Komuna e Podujevës i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e një sektori siç është Bujqësia. Ne si komunë kemi ndarë 100 mijë euro për një projekt ku fitues do të jenë 20 fermerë me nga një hektar”, ka thënë Januzi.
Programi “Mundësi të reja për Bujqësi” operon tash e katër vjet, qëllimi i së cilit është të ndryshohet qasja e njerëzve në lidhje me Bujqësinë.
Zv.drejtori i programit “Mundësi të reja për Bujqësi”, Fatmir Selimi, tha se qëllimi i këtij programi është që Mjedrra të kultivohet në pjesë më të mëdha, sepse deri më tani është kultivuar në pjesë të vogla. “Për të kultivuar mjedrën duhet shikuar tregun. Mënyra më e mirë është që tregun ta kemi afër dhe ju si llapjanë keni një përparësi sepse tregun e keni afër”, u shpreh Selimi.
Ndërsa, Avni Shabani, iniciator që ky projekt të realizohet edhe në Podujevë, kërkoj një angazhim më të madh në punë në mënyrë që rezultatet të mos mungojnë.
Kujtim Lepaja, bashkëpunëtor në këtë projekt, foli më shumë rreth mjedrës dhe të mirat që i sjell ajo. “Kultura e Mjedrës përpos që konsumohet e freskët, destinimi i saj është për përpunim”, ka thënë Lepaja.
Nga ana tjetër, Arjetë Jaha, pjesëmarrëse në këtë trajnim, tha së këto trajnime janë të mirëseardhura për ne fermeret e reja. “Trajnimet janë të domosdoshme për ne fermeret sepse përmes tyre vetëdisohemi për mënyrën e kultivimit të mjedrrës, sepse kjo kulturë është e re dhe nuk kemi shumë njohuri për të” ka thënë ajo. “E falenderoj USAID-in që organizon këso trajnime dhe shpresoj të ketë kësi organizime edhe në të ardhmen. Shpresoj që komuna vitin tjetër të jap më shumë hektar për kultivimin e kësaj kulture, pasiqë interesimi është i madh dhe Komuna e Podujevës i plotëson të gjitha kushtet”, ka thënë ndër të tjerash Jaha.
USAID-i ka filluar me këtë projekt tash e sa ditë nëpër qytetet kryesore të Kosovës. Ky trajnim ditë më parë është mbajtur edhe në Prishtinë./llapi.info