Kandidati për kryetar të Podujevës në radhet e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera përmes një statusi në Facebook ka shkruar se qeveria në ikje po përfundon punë shkel e shko,dhe se qytetarin e sheh si të padijshëm.
Potera thotë se pas katër vitesh pushim tani kanë filluar gërryerjen e asflatit e cila nuk është më e trashë se gishti i dorës.
Ja postimi i Plotë:
“Qeveria në ikje e Agim Veliut, qytetarin e sheh si të padijshëm, të nënshtrueshëm dhe lehtë të manipulueshëm. Sikur në vitet e tjera elektorale, edhe në këtë fushatë, me karremin e vjetër, me “punë” që kryhen shkel e shko, vetëm një muaj para zgjedhjeve, po tentohet që të manipulohet qytetari.
Këto ditë, për herë të parë pas katër vitesh pushim, kemi qenë dëshmitarë të zhurmës së eskavatorëve të kontraktuar nga Komuna. Kanë filluar me gërryerjen e asfaltit të rrugës “Zahir Pajaziti”, siç kishin bërë herën e fundit në vjeshtën e vitit 2013. Për më keq se kaq, trashësia e gërryer e asfaltit nuk është më e trashë se një gisht i dorës.
Kjo formë e manipulimit të qytetarëve duhet të marrë fund. Kjo rrugë, sikur shumë punë të tjera duhet të bëhen nga fillimi. Zotohemi se në mandatin tonë kjo rrugë do të rindërtohet nga fillimi, pasi që dëmet janë shumë të mëdha dhe sanimi i tyre përpos që është mjet manipulimi elektoral, edhe është zgjidhje afatshkurtër.
Këto sanime gropash nuk e sanojne dot qeverisjen e paskrupullt dhe kriminale. Këto dëme janë të fundit që i bëhen qytetarit.”