Iu deshën mbi 50 minuta këshilltarëve të kuvendit komunal nga të gjitha partitë në Podujevë që të binin dakord që të vazhdohet me pikat e rendit të ditës.
Kur këshilltarja komunale nga radhët e PDK- së, Kumrie Hoti kërkoi nga kryesuesi i kuvendit që të fus në rend të ditës shëndetësinë e cila sipas saj është lënë anash dhe të informohet për gjendjen e shëndetësisë në Podujevë, propozimi i saj nuk kaloi me 17 vota kundër dhe 14 për.
Ndërsa propozimi i kryetatir të grupit të LVV, informatë për arsimin dhe për informimin e gjendjes së ujësjellësit me theks të vecantë për banorët e Orllanit, u la për në seancën tjetër.
Megjithatë katër pika të cilat ishin në rendin e ditës kaluan me shumicën e votave në kuvendin komunal.
- Propozimi i vendimit për miratimin e projektbuxhetit të Komunës së Podujeës për vitin 2018 dhe parashikimet buxhetore 2019-2020 – Propozimi i Rregullores për tatim në prononën e paluajtshme për vitin 2018
- Raporti financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar – qershor 2017
- Propozimi i rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale si dhe,
- Propozimi i vendimit për fillimin e hartimit të Hartës Zonalë të Komunës së Podujevës – Programi i punës për hartimin e Hartës zonale
Pothuajse në të gjitha pikat pati vërejtje dhe sugjerime nga opozita në Podujevë ku më të zëshmet ishin ato të investimeve ku nuk janë specifikuar ato, por vetëm janë cekur fshatërat se ku do të bëhen.
Flakron Gashi nga radhët e PDK-së e ka quajtur tallje me qytetarin e Podujevës shumën e ndarë prej 304.000 euro për rregullimin e qendrës së qytetit të Podujevës ku në propozim thuhet se do të jetë me të gjitha mjetet përcjellëse.
Sipas tij, me këtë shumë nuk mund të realizohet kjo. Ai gjithashtu përmendi edhe bllokimin total të qendrës së qytetit në rast të fillimit të këtij projekti në këtë mënyrë.
Nga LVV, Haki Rudari përmendi shqetësimn e banorëve të Orllanit të cilët sipas tij kanë vërejtje për gypin e ngushtë të kanalizimit i cili është vendosur. Ndërsa përmendi edhe projektin e zgjerimit të Lumit Dumnica për të cilin tha që është e paarsyeshme sepse është që nga viti 2015.
Ndërsa Kumrie Hoti gjithashtu përmendi asfaltimin e rrugëve që sipas saj po bëhen për politikë ku ka përmendur lagjen Merovci ku sipas saj nuk ka pasur vullnet nga komuna që të shtrohen së paku me zhavor.
Por, Faik Muqiqi Drejtor i Shërbimeve Publike tha se ky është një propozim buxhet real dhe për të gjithë qytetarët e Podujevës ku përmendi edhe investimet në ndriqim, trotuare, ura, lumenjë e kolektorë.
Për mosspecifikimin e projekteve foli edhe Haki Rudari nga LVV. Ai Përmendi shumën prej 50.000 për rregullimin e hapësirave publike për të cilat nuk specifikohet se ku do të investohet. Më tej ai përmendi zgjerimin e shtratit të lumenjve por nuk përmendet për cilin lum bëhet fjalë.