Për më shumë se dy vjet, zyrtarët komunalë të Podujevës nuk e kanë bërë publik faktin se vendimi për themelimin e Teatrit të Qytetit nuk ishte në harmoni me Ligjin për teatrot.

Ende pa u plotësuar kriteret, me akt nënligjor Kuvendi Komunal i Podujevës i kishte dhënë vizën themelimit të këtij institucioni në fund të dhjetorit të vitit 2012. Vetëm një muaj më pas, ishte kuptuar se Kuvendi ishte ngutur me themelimin e këtij Teatri.

Kjo pasi asokohe Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit ende nuk e kishte nxjerrë aktin nënligjor, e që ishte Rregullorja që përcaktonte kushtet dhe kriteret e themelimit të teatrove kombëtare dhe teatrove të qyteteve. Vetëm 5 nene kishte vendimi i KK të Podujevës për Teatrin e Qytetit. Ky vendim tashmë është rishqyrtuar dhe themelimit të teatrit i është kthyer legjitimiteti.

“Teatri funksionon në cilësinë e institucionit publik dhe aktivitetet i zhvillon në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Përbërja, organizimi i brendshëm, emërtimi, të drejtat dhe përgjegjësitë, logoja, vula, kontoja bankare dhe selia përcaktohen me Statutin e Teatrit. Vendimi hyn në fuqi pas miratimit, përkatësisht 8 ditë pas vlerësimit të ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhej në nenet 3, 4 dhe 5. “Avdush Hasani” përcaktohej në nenin 2.

Rishqyrtimi i vendimit të para më shumë se dy vjetëve të Kuvendit Komunal të Podujevës ka ndodhur tek tash në vitin 2015 nga një legjislaturë tjetër.

Në ditën kur është bërë rivotimi ose konfirmimi nga ana e këshilltarëve, kryesuesi i tashëm i KK Podujevë, Mehmet Gashi, e ka pranuar se themelimi i Teatrit të Qytetit ishte bërë para se të nxirrej Rregullorja nga MKRS-ja, shkruan Koha Ditore.