Biznesi privat “Kimi” të cilit komuna e Podujevës ia kishte dhënë sheshin e qytetit për shfrytëzim për sezonin veror, pas përfundimit të kontratës, e ka lënë sheshin e qytetit në gjendje jo të mirë, shkruan Llapi.info.

Dëmtimet të cilat i ka shkaktuar sheshit të qytetit të Podujevës ky biznes, ani pse janë të riparueshme, as komuna e as vetë ai biznes nuk i ka riparuar pas përfundimit të kontratës për shfrytëzim të asaj hapësire.

Për këtë veprim komuna e Podujevës ka heshtur ndonëse janë kontaktuar nga Llapi.info për të marrë një përgjigje.

Dëmtimet e sheshit të vetëm të qytetit, i ka kritikuar ashpër opozita në Podujevë.

Zëdhënësi i PDK-së në Podujevë Flakron Gashi i cili kandidon për asamble komunale tha se sheshi nuk është dashur që ti ipet për shfrytëzim askujt. Sipas tij, menaxhimi i pronave publike nga komuna e Podujevës është nën cdo nivel.

“Sheshi nuk është dashur ti jipet në shfrytëzim askujt. Menaxhimi i pronave publike nga komuna ka qenë nën çdo nivel, këtë e ka cekur edhe raporti i auditorit te përgjithshëm. Së pari, gjendja e sheshit “Ali Ajeti” është për keqardhje dhe fyerje e familjes se tij dhe gjithë brezave qe kishin ideal për liri dhe shtet sovran, ndërsa se fundi dhënia ne shfrytëzim e atij sheshi për shfrytëzim duke anashkaluar kuvendin komunal përbenë ne vete akt diktati dhe shkelje procedurale.”, tha Gashi.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, Pajtim Balaj tha se dëmtimi i sheshit mund ti faturohet ëmbëltores “Kimi” të cilës komuna ia ka dhënë për shfrytëzim. Por sipas tij, faji kryesor është i komunës që ia ka dhënë.

“Dëmtimi i sheshit ligjërisht mund t’i faturohet ëmbëltores qe e ka shfrytëzua, por për mua faji kryesor, është i atyre qe ne vend të shtatoreve te dëshmoreve kanë vendosur bubërrecë, është faji i atyre që sheshet publike i kanë bërë private, për përifitime të tyre. Në qeverisjen e Vetevëndosjes, hapësirat publike do t’i kthehen qytetareve. Sheshet nuk do të jenë hapësira të privatizuara, por do të jenë hapësira të përbashkëta të të gjithë qytetareve, në të cilat do te vendosen shtatoret e dëshmoreve.”, tha Balaj.

Komuna e Podujevës ia ka dhënë për shfrytëzim ëmbëltores “Kimi” sheshin e qytetit gjatë sezonës verore.