Punimet në objektin e ri të shkollës fillore “Naim Frashëri” janë paraparë që të kryhen në nëntor. Por, po del që këto punime do të kryhen dy muaj më herët.
Drejtori i drejtorisë së arsimit në komunën e Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë për portalin “Llapi.info” se punimet janë duke shkuar më shpejt sesa që është paraparë.
“Ndërtimi i shkollës së re “Naim Frashëri” është projekt i Bashkimit Europian. Ne kemi aplikuar me këtë projekt dhe e kemi fituar. Punimet është paraparë që të kryhen në nëntor, por, kanë shkuar më shpejt sesa që është planifikuar. Andaj, pritet që me 1 shtator të jetë e gatshme shkolla”, ka thënë Rudari.
Ai ka treguar se ky projekt është nënshkruar me 8 mars 2013. Bashkimi Europian i ka kryer procedurat e tenderimit dhe të gjitha punët tjera të nevojshme.
Projekti i shkollës së re fillore “Naim Frashëri” përmbanë 14 dhoma mësimi, kabinetet e nevojshme, sallën e arsimtarëve, banjot, etj.
Invertari për këtë shkollë nuk është i përfshirë në projektin e Bashkimit Europian.
Invertarin, sipas Rudarit, duhet ta siguroj Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Shkolla fillore “Naim Frashëri” ka kohë që është në gjendje të mjerushme. Tek tash pritet të u bëhet zgjidhja nxënësve të kësaj shkolle.
Sipas Rudarit, drejtoria e arsimit në Podujevë, që nga viti 2009 ka bërë kërkesë në MASHT për ndërtimin e kësaj shkolle, por asnjëherë nuk është ndërmarrë një gjë e tillë./Llapi.info