Një profil i zbehtë dhe i varfër i kryetarit, qëndron qe një kohë të gjatë në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, i patrazuar. Ky qytet verilindor, qendër administrative e 78 fshatrave përreth, për vite të tëra është konsideruar si bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Që nga paslufta, asnjëherë, në asnjë rast, nuk ka udhëhequr me qeverisjen lokale ndonjë parti tjetër përpos këtij subjekti. Por në zgjedhjet e fundit të 22 tetorit, ky bastion, duket se është tronditur seriozisht – shkruan Gazeta e Re, transmeton Llapi.info.
Beteja për Podujevën
Agim Veliu iu fut garës për t’u rizgjedhur për herë të pestë, në krye të Podujevës. Kandidimin e tij, analistët e panë me dyshim, ndonëse ai konsiderohet si njëri prej individëve më të fuqishëm në LDK, respektivisht si njëri prej pjesëtarëve të gardës së vjetër, që për një kohë të gjatë e ka udhëhequr këtë subjekt. Për befasi, ai ndërroi madje edhe qasje, fushata e tij përfshiu rrjetet sociale, në të cilat investoi shumë. Por ky investim doli të ishte i pamjaftueshëm. Ai s’grumbulloi më shumë se 18.801 vota, respektivisht 48.29% të votave, diçka që atë e dërgoi në balotazh. Përballë tij do të jetë Ajet Potera nga Lëvizja Vetëvendosje i cili grumbulloi 11.576 vota, respektivisht 29.73% të votave. Analistët politikë, gazetarët dhe opinionistët konsiderojnë që diferenca ndërmjet kandidatëve, nuk është e madhe, për rrjedhojë, ajo edhe mund të përmbyset.
Kryeredaktori i TV-Llapit Mentor Llugaliu, për Gazeta e Re thotë se votuesi llapjan ka mjaft për ta dënuar Veliun. Sipas tij ai nuk duhet të votohet për shumë arsye dhe kryesoret sipas tij janë: <<Puna e tij e keqe për gati dy dekada qeverisje, akuzat e shumta për korrupsion dhe sidomos menaxhimi i keq i taksave të komunës. Pastaj keqpërdorimi i pozitës për forcimin e pozitës së tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, politizimi i skajshëm i arsimit dhe administratës komunale, gjendja e rëndë ekonomike dhe dështimi për të sjellë ndonjë investitor në Komunën e Podujevës.>>
Llugaliu konsideron që pakënaqësia e qytetarëve llapjan, është e madhe por, sipas tij, ata nuk mund të shprehen meqë <<janë të shantazhuar dhe hezitojnë të flasin rreth qeverisjes së keqe të Veliut, nga frika e hakmarrjes së tij. Podujeva dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë trajtim dhe mendoj se kjo duhet të ndryshojë…!>>, – ka thënë në fund Llugaliu.
Por për gazetarin dhe opinionistin Fehmi Maloku, ndonëse shkuarja në balotazh për këtë komunë, përbënë në vetvete një befasi, ai është skeptik se mund të përmbyset rezultati.
<<Me ka befasuar arritja e VV ne balotazh-në Podujevë. Duke pasur parasysh të kaluarën e gjatë politike të LDK-së, mund të them, se kandidati i saj z.Agim Veliu, ka më shumë gjasë ta fitojë balotazhin, siç po shihet me fare pak përparësi, sado që nuk çuditem edhe nëse eventualisht, e fiton ai i VV-së z. Ajet Potera, por që për mendimin tim, ka më pak gjasa!. Sido që të jetë epilogu i balotazhit, për Vetëvendosjen, këto zgjedhje në Podujevë ishin me një sukses të papritur për mua. Dhe, për LDK-në këto zgjedhje në vatrën e saj të pakontestueshme tradicionalisht-Llap, do të duhej të ishin një leksion shumë domethënës. Lidhjeve emocionale të deritashme, u ka ikur koha edhe në Llap. E patën shndërruar Llapin, LDK-ja si ‘bahçe të babës’, kujdes pra, shumë kujdes, po që se punuat bahçen mirë, jua marrin fqinjët, në këtë rast, konkurrentët politikë (VV), dhe ndoshta e punojnë më mirë ata pastaj!.>>, përfundon me sarkazëm Maloku.
Qetësi para stuhisë
Në të dy kampet ka rënë qetësia. Një ditë pas përfundimit të raundit të dytë, kandidati Veliu, në profilin e tij zyrtarë i ka falënderuar votuesit e tij për mbështetjen që e ka marr nga ta. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë uruar për suksesin. Ndërsa të gjithë janë shprehur se ai do t’ia dalë edhe për herë të dytë.
Ndërkohë nga kampi tjetër, Bajram Ajeti, tashmë asambleist në Kuvendin e Podujevës nga radhët e VV-së, është shprehur i sigurt që beteja e fundit do t’u takojë atyre: <<Lufta ka beteja, betejën e parë e kemi fituar, të dytën po e presim. Kemi besim që Ajet Potera do të jetë kryetar i ri i Komunës>> – ka thënë ai. Oferta e tyre, sipas tij, do të ketë kohë të shpaloset më mirë përpara votuesve llapjan, veçanërisht në vendet ku ata nuk kanë arritur t’i vizitojnë gjatë kohës së fushatës që iku.
Nga kampi i LDK-së, kanë zgjedhur heshtjen. Ata nuk i kanë komentuar rezultatet, ndonëse janë kontaktuar nga ne. Ua kujtojmë që Agim Veliu, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, ka marr 1000 vota më pak. Aktualisht diferenca ndërmjet tij dhe Ajet Poterës është 7225 vota. Ky hendek, për kundërshtarët e Veliut, nuk është i pakapërcyeshëm.