Insajderi ka zbuluar se kryetari i Podujevës, Agim Veliu, mori një vendim që është vlerësuar si i kundërligjshëm nga Qeveria e Kosovës. Ai tjetërsoi pronën shoqërore e cila ligjërisht i përket Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kryetari Veliu nëpërmjet këtij vendimi është duke dëmtuar një kompani private, e cila ka punësuar mbi 200 gra në fabrikën e përpunimit të perimeve.
Agim Veliu, kryetari i Podujevës, vetëm tri ditë pas rikonfirmimit në mandatin e ri ka vepruar në kundërshtim me atë që kanë premtuar të gjithë kandidatët në fushatë zgjedhore: nxitja e investimeve të huaja. Më 22 nëntor të këtij viti, tri ditë pas balotazhit, Komuna e Podujevës ka ndërmarrë një veprim për të penguar një kompani që punëson mbi 200 gra nga kjo komunë.
Kompania “Jaha Company”, në bashkëpunim me investitorët gjerman të kompanisë “Kappa Antipasti”, ka hapur fabrikën e përpunimit të perimeve në tokën dhe asetet e ish-ndërmarrjes shoqërore “Fapol”. Për shfrytëzimin e tyre kompania private i paguan qira Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Mirëpo, probleme janë shfaqur tek toka që shfrytëzohet me qira. Komuna e Podujevës, kundërligjshëm sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka marrë vendim që kjo tokë të regjistrohet në kadastër si pronë komunale. Vendimi i kryetarit Veliu precizon se toka është e komunës, ndërsa asetet të AKP-së.
Por, Agjencia e Privatizimit pretendon se edhe toka, por edhe asetet janë nën menaxhim të saj.
Për këtë arsye, AKP-ja e ka paditur Komunën e Podujevës për tjetërsim të pronës. Gjyqi ende nuk ka marrë vendim dhe toka zyrtarisht është në kontest pronësor. Mirëpo, Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Agim Veliu nuk po e pret vendimin e gjykatës. Ka vendosur që ta largojë kompaninë private nga aty.
Pamje nga aktiviteti i fabrikës së përpunimit të perimeve në Podujevë
Dëmet që shkakton vendimi i kundërligjshëm i Agim Veliut
Jahir Hoxha, drejtor i kompanisë “Jaha Group”, i ka thënë Insajderit se është i dëmshëm vendimi i autoriteteve komunale për të ndërtuar palestër sportive në tokën që shfrytëzohet nga fabrika. Hoxha ka treguar se pjesën ku planifikohet të ngrehet palestra sportive, kompania e shfrytëzon për t’i ruajtur perimet e përpunuara.
“Nuk kam vend tjetër ku me i vendos ato. Ky vendim i Komunës e rrezikon investimin shqiptaro-gjerman dhe mbetjen pa punë të mbi 200 grave të punësuara në fabrikë”, ka thënë Hoxha për Insajderin. Po ashtu, sipas tij nëpërmjet këtij vendimi janë duke u dëmtuar edhe 270 fermerë lokal që janë kontraktuar nga kompania “Jaha Company”. Perimet e përpunuara në këtë fabrikë eksportohen në Gjermani.
Hoxha ka treguar se autoritetet komunale kanë dështuar që më 22 nëntor ta vendosin gurë themelin për ndërtimin e palestrës sportive. Atë ditë, zyrtarët komunal kishin ardhur për ta ekzekutuar këtë vendim.
Menaxhmenti i kompanisë kishte njoftuar Agjencinë e Privatizimin për aksionin e Komunës së Podujevës. Sipas Hoxhës, AKP-ja atë ditë i dërgoi një shkresë Komunës së Podujevës.
“Ne e njoftuam Agjensionin e Privatizimit për veprimet që i ka bërë komuna dhe pas shkresës që u bë prej AKP- së, komuna u largua dhe nuk e ditëm pse nuk e qitën gurthemelin”, deklaroi Hoxha për Insajderin. Ai ka shtuar se kompania e tij obligohet që të zbatojë kontratën me AKP-në, të cilës i paguan qira qe dy vite.