5435 metra katror trotuare janë duke u ndërtuar me kubëza në qytet dhe periferi të Podujevës, njofton Zyra e Informimit në komunën e Podujevës.

Në kuadër të investimeve në infrastrukturën rrugore në qytet dhe fshatra të Podujevës, Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim është duke realizuar disa projekte të ndërtimit të trotuareve.

Drejtori i DSHMPSH, Faik Muçiqi, tha se aktualisht janë duke u rregulluar me kubëza trotuaret në gjashtë segmente rrugore.

“Janë duke u shtruar me kubëza trotuaret në rrugët ‘Ilir Konushefci’, Hasan Prishtina’, ‘Brigada’, ‘Hasan Ramadani’, ‘Qëndresa’, ‘Ramë Obrança’ dhe rruga nga shkolla ‘Naim Frashëri’ deri te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare’. Gjithsej, janë duke u ndërtuar trotuare në sipërfaqe prej 5435 metra katror”, ka thënë Muçiqi.

Sipas Muçiqit, kompania e kontraktuar “Vëllezërit Hyseni” është duke i kryer punët sipas dinamikës së paraparë.

Gjatë këtij viti është planifikuar edhe ndërtimi i trotuareve afër shkollave në segmentet rrugëve rajonale dhe lokale./Llapi.info