Vendosja e tabelave me emërtimet e reja të rrugëve në Komunën e Podujevës është ndërprerë përkohësisht nga kompania e kontraktuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Sipas komunarëve të Podujevës, arsyet e ndërprerjes janë kushtet atmosferike. Zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se afati i përfundimit të këtij projekti është qershori i vitit të ardhshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kompania e kontraktuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës përkohësisht ka ndërprerë vendosjen e tabelave me emrat e rrugëve për shkak të kushteve atmosferike. Deri tash janë vendosur rreth 60 për qind e tabelave me emrat e rrugëve. Ndërsa afati i realizmit të projektit të vendosjes së tabelave me emrat e rrugëve është deri në qershor të vitit 2018”, ka thënë Nazmi Elezi.
Ndërkohë, jo të gjithë kanë qenë të kënaqur me emërtimet e reja të rrugëve. Posa ka filluar vendosja e tyre, janë shfaqur edhe pakënaqësitë e qytetarëve, duke i shkarravitur tabelat, për t’u hequr pastaj nga zyrtarët komunalë.
Sipas zëdhënësit të Komunës së Podujevës, deri tash janë rreth 100 ankesa lidhur me emërtimin e rrugëve, të cilat presin të shqyrtohen. Por, kjo gjë nuk mund të bëhet para se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të japë interpretim ligjor nëse Kuvendit Komunal i lejohet të formojë një Komision të tillë.