I thonë Mulliri i Binakut dhe ngjason me një objekt të vjetër, i cili duket të jetë harruar nga koha dhe njerëzit, por përveç që ka vlerë të madhe të trashëgimisë-kulturore dhe historike, gurët e tij vazhdojnë të rrotullohen dhe të bluajnë misër .
Mulliri 100-vjeçar në Majac të Podujevës, që ndodhet në grykën mes dy kodrave dhe mes gjelbërimit të përjetshëm, është i vetmi që i ka shpëtuar dhëmbit të kohës ndër gjashtë mullinjtë e ndërtuar dikur mbi shtratin e lumit Kaçandolli, në fshatin Majac.
Ky mulli me ujë, i ndërtuar shumë vite para Luftës së Dytë Botërore, është trashëguar brez pas brezi nga familja Krasniqi dhe asnjëherë nuk pushoi së bluari, duke furnizuar me miell banorët e Majacit dhe fshatrave përreth.
Njëri nga trashëgimtarët e këtij mulliri, Ramadan Krasniqi, tha se ishte gjyshi i tij, Islam Krasniqi dhe disa familjarë, që e ndërtuan mullirin mbi rrjedhën e lumit Kaçandolli.
Ai rrëfen për Telegrafin se dikur ky mulli ka bluar edhe grurë, ndërsa sot bluan kryesisht misër.
“Këtu vijnë banorët nga fshatrat Majac, Lupç i Epërm, Lupç i Poshtëm, Luzhan, Shakovicë, Shibofc… Vijnë edhe nga rrethi i Vushtrrisë dhe Prishtinës”, thotë ky njeri, të cilin përfitimet e vogla nga ky mulli e bëjnë të ndjehet mirë, pasi, siç u shpreh me krenari, mulliri është trashëgimi nga të parët e tij.
“Ne fitimin e kemi nga “ujemi’ (përqindja) që marrim. Por edhe pse përfitimi është i vogël, punën s’e kemi ndërprerë asnjëherë. Nuk kemi orar të caktuar, kush vjen – vjen”, sqaroi Krasniqi.
Sipas tij, mulliri nuk ka pushuar se bluari as gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ky mulli ka furnizuar me miell jo vetëm popullatën e këtyre fshatrave, por edhe ushtarë të UÇK-së”.
Njëri nga banorët e fshatit Majac, Ahmet Gashi, ka thënë se karakteristikë e fshatit të tij është se ‘Mulliri i Binakut’ është vetëm njëri nga shumë mullinj tjerë që ka pasur ky fshat në të kaluarën.
“Fshati Majac ka pas shumë mullinj dhe ky është vetëm njëri ndër ta. Kjo zaten e bënë këtë fshat më karakteristik. Për kohërat e kaluara nuk ka qenë më i rëndësishmi sepse kanë qenë edhe pesë mullinj tjerë, edhe më të fuqishëm dhe me më shumë gurë e rrota. Ky mulli që akoma është aktiv dhe punon pandërprerë, ka dy gurë dhe bluan misrin e grurin”, u shpreh Gashi.
Mulliri i Binakut, nuk shërben vetëm për bluarje të misrit dhe furnizimi me miell bio, por ai vizitohet edhe nga vizitorë vendas e të huaj, si një relikt dhe trashëgimi kulturore e historike./Telegrafi/
Mulliri 100-vjeçar i Majacit, që bluan edhe sot
Mulliri 100-vjeçar i Majacit, që bluan edhe sot (Video)
Publiée par Telegrafi.com sur samedi 20 Janvier 2018