Marrëveshja katërpalëshe e nënshkruar në mes Komunës së Podujevës, Caritas Kosova, Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë për projektin e përkujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulator në këtë komunë, ka përfunduar.
Që nga data 30 nëntor familjet në nevojë për shërbime ambulatore nuk kanë pranuar të tilla, pasi që një marrëveshje e re nuk është ri nënshkruar ende nga palët pjesëmarrëse.
Sipas zyrtarit për informim të Komunës së Podujevës, Bujar Gimolli, ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe komuna ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e tij.
“Komuna e Podujevës është shumë e interesuar për vazhdimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, gjithashtu kjo komunë ka shprehur gatishmëri që të vazhdohet kjo marrëveshje e bashkëpunimit” ka thënë Gimolli për Indeksonline.
Po ashtu ai ka shtuar se edhe Caritas Kosova është i interesuar të vazhdoj bashkëpunimin, kurse janë në pritje të përkrahjes nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës e Mirëqenie Sociale.
I kontaktuar nga Indeksonline edhe përfaqësuesi i Caritas Kosova, Pal Baftia ka konfirmuar se ata janë të gatshëm për të vazhduar projektin por sipas tij ata po presin përgjigje nga Komuna, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Ka qenë marrëveshje katër paleshe, Komuna, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë, jemi në tentativë me i ri aktualizu përsëri këto marrëveshje. Të paktën neve si Caritas jemi të gatshëm me vazhdu por jemi në negociata me Komunën, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, është shprehur përfaqësuesi i Caritas Kosova, Pal Baftia.
Sipas tij, mosmarrja e këtyre shërbimeve është humbje e madhe për familjet në nevojë, kurse edhe Caritas Kosova po e konsideron shumë të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit.
Përgjigje për këtë çështje ka dhënë edhe zyra për informim e Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale. Ata kanë shpjeguar se duhet të bëjnë thirrje publike për financimin e projekteve dhe duhet ti përmbahen rregullores të destinuar për këto marrëveshje.
“Sa i përket financimit të projekteve dhe OJQ-ve, Ministria e Financave ka nxjerrë Rregulloren nr.04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Kjo rregullore na obligon neve si Ministri që të bëjmë thirrje publike për financim të projekteve dhe ne duhet ti përmbahemi rregullores në fjalë” thuhet në përgjigjen e zyrës për media në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale” thuhet në përgjigjen e zyrës për media të këtij dikasteri.
Edhe zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë, konfirmon se kjo marrëveshje ka përfunduar me datë 31 dhjetor dhe kontrata nuk është më valide deri në nënshkrimin e kontratës së re.
“Marrëveshjet me Caritasin kanë qenë për disa komuna, jo vetëm për Podujevën dhe kanë qenë marrëveshje me afat deri më 31 dhjetor 2017 si marrëveshje katërpalëshe: Caritasi, MInistria e Punës e Mirëqenies Sociale, MInistria e Shëndetësisë dhe Komunat, për bashkëfinancim të vizitave mjekësore në shtëpi apo “Home care”. Kontratat kanë qenë të përcaktuara sa zgjasin dhe secila palë i ka pasur obligimet e veta, me që kanë qenë marrëveshje për bashkëfinancim”.
Kurse të pyetur se a do të ketë marrëveshje të tjera të kësaj natyre, zyrtarët e kësaj ministrie janë shprehur se kjo mbetet të vlerësohet nga të gjitha palët e përfshira në marrëveshje.
Ndryshe, projekti “Përkujdesje shëndetësore shtëpiake” ishte i destinuar të ofronte shërbime profesionale nga stafi mjekësor, duke realizuar vizita te pacientët që marrin mjekimin në shtëpi dhe të gjithë ata pacient që nuk kanë mundësi ti vizitojnë objektet e QKMF në këtë komunë.
Vlera e tërësishme e këtij projekti ishte 115,186.40euro, ku Komuna e Podujevës ka participuar me 19,746.40 euro, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me secila nga 40,000.00 euro dhe Caritas Kosova ka marrë pjesë me shërbime profesionale, pajisje dhe shërbime menaxheriale në vlerë prej 15,440.00 eurosh.