Rruga përballë shkollës fillore “Xheladin Rekaliu” në Podujevë vazhdon të mbetet e vërshuar nga uji atmosferik dhe fekalet. Kështu është thuajse çdoherë, sidomos pas reshjeve që prej ndërtimit të këtij objekti.
Nxënësit e kësaj shkolle detyrohen që të kalojnë nëpër ujë. Ndërkohë që komunarët e Podujevës ende nuk kanë gjetur një zgjidhje, me gjithë premtimet e tyre. E në anën tjetër, prindërit ankohen për këtë moskujdes ndaj fëmijëve të tyre.
Në një mbledhje të prindërve ata e kanë përmendur edhe protestën dhe ndaljen e nxënësve nga shkolla derisa të rregullohet kanalizimi aty. Përveç kësaj, edhe rruga është shumë e ngushtë dhe mungojnë trotuaret për nxënësit, edhe pse këtë rrugë e shfrytëzojnë edhe banorët e lagjes aty afër. Zyrtarët komunalë nuk janë përgjigjur për asnjërin prej këtyre problemeve edhe pse pyetjet u janë dërguar prej datës 22 janar./Koha Ditore