Komuna e Podujevës përmes një komunikate për media ka reaguar për slulmin ndaj nënkryetarit, Nexhmi Rudari, në ditën e Dëshmorëbe dhe të Rënëve të Llapit.

Komunikata e plotë e Komunës së Podujevës:

Komuna e Podujevës dënon aktin e sulmit fizik ndaj Nënkryetarit të Komunës z.Nexhmi Rudari, njëherësh kryetar i Këshillit Organizativ të manifestimit për shënimin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve dhe të Rënëve. Duke e cilësuar këtë akt qyqar dhe të ulët Komuna kërkon nga organet e rendit që të marrin masa adekuate ligjore ndaj Xhemshit Gashi – përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Komuna e Podujevës, nën patronazhin e Kryetarit z.Agim Veliu, të martën më 5 maj, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan organizoi manifestimin qendror për nder të Ditës së Dëshmorëve dhe të Rënëve.
Këshilli organizativ, në krye me Nënkryetarin e Komunës z.Nexhmi Rudari, me kohë kishte bërë përgatitjet dhe kishte miratuar agjendën e rrjedhës së manifestimit.

Ashtu siç ishte planifikuar, manifestimi i organizuar ishte madhështor, ku përveç Kryetarit të Komunës, z.Agim Veliu mori pjesë Kryeministri i vendit akademik Isa Mustafa, Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, gjenerali Rrustem Mustafa, deputetë, ministra e zëvendësministra, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë.

Derisa i tërë manifestimi është mbajtur dhe ka rrjedhur sipas agjendës dhe programit të miratuar nga Këshilli Organizativ, imazhin ia ka prishur një incident i shkaktuar nga Xhemshit Gashi përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së në Këshillin Organizativ, i cili, kinse i pakënaqur me radhitjen e këngëve në pjesën e programit artistik, sulmoi fizikisht Nënkryetarin e Komunës së Podujevës, z.Nexhmi Rudari, i cili ishte edhe kryetar i Këshillit Organizativ të manifestimit.

As 16 vjet pas çlirimit të Kosovës dikush nuk po mund të pajtohet që manifestimet për nder të dëshmorëve dhe të rënëve të organizohen nga institucionet zyrtare dhe të kenë karakter shtetëror.

Është për keqardhje që familjet e dëshmorëve përfaqësohen nga individë, siç është Xhemshit Gashi, që edhe pse ishte pjesë e Këshillit Organizativ me aktin e tij të ulët provoi t’ia prish imazhin manifestimit.

Pavarësisht kësaj Komuna e Podujevës e vlerëson lart punën e Këshillit Organizativ për nivelin e lartë të organizimit të manifestimit për nder të Ditës së Dëshmorëve dhe të rënëve, kurse dënon akt sulmin e ndaj Nënkryetarit të Komunës, duke e cilësuar edhe si atak ndaj institucionit dhe kërkon nga organet e drejtësisë që ndaj autorit të sulmit fizik të merren masat adekuate ligjore.