Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar aktivitet simbolik me rastin e 1 Prillit, “Ditës së gënjeshtrave”, si ditë përkujtuese për “rrenat e qeveritarëve të Kosovës”.

Aktivistja e VV-së, Arta Berisha tha se premtimet e kryeministrit Ramush Haradinaj janë të vërteta vetëm sot, në ditën e rrenave.

Sipas saj, “Haradinaj u zotua se brenda 3 muajsh qytetarët do ë lëvizin pa viza, e përveç se kjo nuk ndodhi Kosova humbi edhe 8200 hektarë tokë përmes demarkacionit, duke i gënjyer qytetarët me liberalizim vizash”.

Ajo përmendi edhe premtimet e kryeministrit për formimin e ushtrisë dhe ato për rritjen e pagave dhe pensioneve, ku sipas tyre nuk u ndërmor asnjë iniciativë në këtë drejtim.

“Kryeministri Ramush Haradinaj premtoi po ashtu formimin e ushtrisë së Kosovës. Për shkak të shumë gënjeshtrave kësaj çështje nuk i erdhi koha për diskutim”, tha ajo.

“Qeveria aktuale nuk ka bërë asnjë iniciativë në këtë drejtim. Sigurisht që edhe rritja e rrogave për 30 për qind dhe pensionet për 25 për qind dhe mirëqenia e qytetarëve janë të vërteta vetëm sot në simboliken e 1 prillit. Urime dita e juaj kryeministër!”, tha ajo.