Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka thënë se Republika e Kosovës dhe ajo e Turqisë kanë marrëdhënie të mira.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e fundit të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas tij, këto ngjarje nuk do të ndikojnë në raportet në mes të dy vendeve. Matoshi ka folur edhe për funksionimin e Qeverisë pas daljes së Listës Serbe.

Ai ka theksuar se Qeveria Haradinaj është duke i përmbushur agjendat e veta shtetërore sipas mandatit kushtetues. Duke folur për kërkesën e LDK-së për zgjedhje të reja, Matoshi ka thënë se LDK-ja si parti institucionaliste duhet të bëjë opozitarizëm serioz.