Brukseli po ‘lufton’ gjatë përgatitjeve për samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pasi tre anëtarë nuk e duan Kosovën në të njëjtën tryezë. Samiti për Ballkanin Perëndimor pritet të mbahet më 17 maj në Sofje, përveç Spanjës, Rumania dhe Qiproja janë afër të marrin vendimin përfundimtar që Kosova të mos marrë pjesë në diskutimin e përgjithshëm në mbledhje.

Këto tre anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet, nuk duan të jenë në të njëjtën tryezë me përfaqësuesit e Prishtinës dhe as të shfaqen së bashku në një fotografi që është e zakonshme për këto konferenca, shkruan gazeta serbe ‘Naslovna strana’.

Spanja, Rumania dhe Qipro mund të përdorin Planin B, në mënyrë që zyrtarët e tyre të jenë vetëm në një darkë pune të planifikuar për ditën para samitit, ndërsa të nesërmen ata të përfaqësohen nga disa anëtarë tjerë.

Një praktikë e tillë nuk është një risi brenda Bashkimit Evropian pasi është e mundur që një anëtar të përfaqësoj pozitën e një tjetri. Por këtu problemi është se brenda BE-së nuk ka qëndrim të përbashkët mbi një temë të tillë si Kosova, kështu që pyetja është se kush do qëndrojë pro Spanjës, Rumanisë apo Qipros, thotë tutje shkrimi, transmeton lajmi.net.

“Ne tashmë kemi filluar përgatitjen e dokumentit përfundimtar, i cili është mjaft i pazakontë. Arsyeja për këtë është se në mesin e anëtarëve duhet të harmonizohen ndjeshmëritë e ndryshme, duke pasur parasysh pikëpamjet e kundërta mbi statusin e Kosovës”, thotë për gazetën një burim nga Këshilli Evropian.

Javën e kaluar në Grupin Punues për zgjerim u tha se janë duke u përgatitur për hapjen e kapitujve të rinj në negociatat e pranimit të cilët tashmë janë vendosur në sfond.

Rasti i Katalonisë me Spanjën dhe kundërshtimi i tyre paraqet ‘dhimbje koke’ në Bruksel pasi qëllimi ishte të dërgonin një mesazh të fortë dhe të unifikuar në Sofje lidhur me çështjen e Kosovës,përfundon gazeta.

Rikujtojmë se ditë më parë Spanja ka deklaruar që nuk do të marrë pjesë në asnjë samit evropian apo në ndonjë samit tjetër ku Kosova është prezente me ndonjë shenjë të shtetësisë së saj dhe ku paraqitet si entitet në vete