Tashmë duket se më në fund do të ndodhë superdueli ndërmjet Anthony Joshuas dhe Deontay Wilderit, të cilin janë duke e pritur tifozët e boksit.
Pas triumfit ndaj Joseph Parker, boksieri britanik është bërë kampion i unifikuar (ai i posedon titujt WBA, WBO, IBF dhe IBO) dhe i vetmi rrip që i mungon është ai WBC, të cilin e mban boksieri amerikan.
28-vjeçari ‘AJ’ është shprehur i gatshëm për një përballje me ‘Bombarduesin e Bronztë’ dhe këtë e ka mirëpritur 32-vjeçari, ndërsa dy boksierët tashmë kanë nisur me ngacmimet dhe provokimet e zakonshme para një dueli.
Mirëpo, për të ndodhur kjo duhet të arrihet një marrëveshje mes përfaqësuesve të të dy boksierëve. Ndërsa promovuesi sportiv, Barry Hearn, ka thënë se bisedimet rreth meçit për unifikimin e titujve mund të fillojnë në javën e ardhshme.
Joshua e dëshiron edhe titullin WBC për t’u bërë kampion i padiskutueshëm, derisa Wilder planifikon t’ia marrë titujt britanikut dhe të bëhet ai kampioni më i madh në kategoritë e peshave të rënda dhe njëherësh do të fitonte shumë para në përballjen ndaj Joshuas.
“Është një duel të cilin Anthony Joshua e do vërtet dhe mund të ndodhë këtë vit”, është shprehur Hearn, i cili është kryetar dhe themelues i kompanisë promovuese të ‘AJ’, Matchroom Sport.
Ai ka thënë për emisionin Sportsweek të BBC Radio 5 live: “Anthony Joshua i dëshiron të gjithë rripat – kjo është karta e madhe të cilën duhet ta luajë, por komercialisht, Joshua është shumë më i madh se Deontay Wilder”.
“Mendoj se Wilder do të vinte këtu (në Britani të Madhe), sepse në botën ku jetojmë, në boks, milionat e dollarëve që i fiton Wilder për një meç, janë shumë pak në krahasim me paratë që e presin për duelin ndaj Joshuas”, është shprehur Barry Hearn. /Telegrafi/