Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha sot se kanë kaluar njëzet vjet të plota nga lufta e Kosovës për çlirim, nëntëmbëdhjetë vjet nga Konferenca Paqësore e Rambujesë, dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shtatë vjet nga fillimi i bisedimeve të Brukselit, ndërsa marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë të përmbyllura politikisht.
Thaçi këto komente i bëri në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) & Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG)
“Në të gjitha proceset ndërkombëtare që kanë synuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, udhëheqësia kosovare ka qenë e gatshme për marrëveshje politike me Serbinë. Janë humbur në të kaluarën dhjetëra vjet, pa fajin dhe përgjegjësinë tonë, shumë raste të mira, në mungesë të vullnetit politik të udhëheqësisë së Serbisë, për t’i dhënë fund armiqësive politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, që janë të vjetra më shumë se një shekull”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë.
“Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi”, shtoi ai.
Kreu i shtetit ka thënë se në politikën dhe në shoqërinë kosovare, ende kanë një pajtim të gjerë që duhet kryer punët e papërfunduara në raportet tona me Serbinë, dhe që duhet arritur marrëveshjen ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
“Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative, është interes nacional i Kosovës, i cili nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare. Në këtë proces ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik, dhe për t’i hapur udhë Kosovës për të qenë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, në Paktin NATO, kudo”, ka thënë presidenti Thaçi.