Oda e Avokatëve do të bojkotojë përfaqësimin ex-officio në polici. Sipas OAK deri tek ky vendim ka ardhur pas atij të Sekretariatit të Lëshillit Prokurorial të Kosovës përmes së cilit i është kërkuar zyrtarëve financiarë të prokurorive themelore në nivel të Republikës, se nga data 16 mars të mos pranojnë faturat e avokatëve për përfaqësim sipas detyrës zyrtare, me numër të rastit nga Procesverbali i Policisë.

Pasi ka shqyrtuar këtë çështje  Këshilli Drejtues i OAK-së e ka konsideruar të papranueshme që avokatët të mos paguhen pas kryerjes së shërbimit të tyre përkatësisht pas përfaqësimit të personave të ndaluar në Polici, por të pritet pagesa e atij shërbimi të ofruar nga ana e avokatit derisa e njëjta lëndë të merr numrin përkatës në Prokurori’,

OAK thekson se i është drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me kërkesë të veçantë përmes së cilës ka kërkuar që të tërhiqet ky vendim, në të kundërtën OAK obligohet kundër dëshirës se vet që të mos dërgoj avokatë për përfaqesim sipas detyrës zyrtare në Polici, duke filluar nga data 01.04.2018.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka marrë për bazë kërkesat e Odës së Avokatëve të Kosovës, andaj duke u bazuar në vendimin e marrë të Këshillit Drejtues të OAK-së të datës 16.03.2018 të gjithë avokatët nga data 06.04.2018 e tutje, nuk do të angazhohen sipas detyrës zyrtare në Polici”, thuhet në komuniaktën e OAK.

“Ky bojkot i përfaqësimit ex-officio në Polici do të vazhdoj derisa të miratohen kërkesat e avokatëve në nivel të Kosovës, dhe deri në njoftimin nga OAK për ndalimin e bojkotit. Konform nenit 38 të Kodit të Etikës Profesionale për Avokatë, konsiderohet shkelje veçanërisht e rëndë e detyrës së avokatit mos zbatimi i vendimeve të Odës dhe Këshillit Drejtues të saj”, thuhet në komunikatën e Odës së Avokatëve të Kosovës.