Sindikata e Mësimdhënësve nuk po lëvizin nga vendimi i tyre për të filluar grevë me afat të pacaktuar, me kërkesën e vetme, miratimin e Ligjit për Punëtorët e Arsimit të Viteve 90-ta.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë nuk lëshuan pe edhe pas kërkesave të djeshme Minsitrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi që kjo grevë e paralajmëruar të fillojë më 13 prill të anulohet.
Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, tha për KALLXO.com se nuk mjaftohen me fjalë por greva do të anulohet vetëm nëse plotësohen kërkesat.
“Qëndrimi ynë është i njëjtë, kërkesa e Ministrit nuk është korrekte të thuhet që ai kërkoi dhe e pamë postimin që të anulohet greva, gjë që është e pamundur sepse për grevën ka vendosur kongresi me rezolutë.Edhe Ministri Bytyqi edhe të tjerët, madje edhe Kryeministri Haradinaj e kanë shumë më të lehtë ta bëjnë një veprim që nuk kërkon kohë, ta vënë në rend dite projektligjin për statusitn e punëtorëve në arsim të viteve 90-ta.”, tha Jashari.
Ai po ashtu ritheksoi se mbajtja e testit PISA dhe madje edhe testeve të përgjithshme në shkolla mund të kompremetohen nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Derisa të plotësohet kjo, grevë do të ketë dhe qeveria duhet të dijë se mund të ketë pastaj implikime në arsim sepse edhe testi PISA do të vihet në pikëpytje, pastaj së shpejti vijnë edhe testet tjera të rëndomta, ai i arritshmërisë dhe i maturës dhe këto të gjitha mund të parandalohen duke e votuar projektligjin dhe duke e dërguar në Parlament. Qeveria duhet të dijë se kur ka grevë, nuk ka as punë, as mësim e as ndonjë aktivitet tjetër.”, tha Jashari për KALLXO.com
Dje në një takim me përfaqësuesit e SBASHK, Ministri Bytyqi kishte thënë se mbajtja e grevës në këtë kohë mund të shkaktojë probleme.