Më 7 prill të vitit 2016 ish-kryetari i PDK-së Hashim Thaçi mori detyrën e presidentit të Kosovës. Tash e dy vjet Thaçi ka dështuar të bëhet figurë unifikuese, siç duhet të jetë presidenti sipas Kushtetutës.
Për dy vjet sa është në krye të shtetit presidenti Hashim Thaçi ka dështuar ta jetë “figurë unifikuese e popullit”, siç parashihet të jetë i pari i shtetit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Madje vlerësohet se gjatë këtyre dy vjetëve Thaçi nuk ka arritur ta lërë prapa rivalitetin politik të kohës sa ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka vazhduar të jetë figurë përçarëse në skenën politike kosovare duke akuzuar partitë opozitare, me theks të veçantë lëvizjen “Vetëvendosje”, shkruan Gazeta “Zëri”.
Partitë opozitare thonë se Thaçi nuk mund ta përfaqësojë unitetin e popullit.
Kurse analistët politikë thonë se Thaçi asnjëherë nuk ka arritur t’i bëjë bashkë partitë politike për të biseduar për çështje të rëndësishme. Po ashtu thonë se Thaçi asnjëherë nuk ka vizituar komunat e qeverisura nga partitë që në nivel qendror janë në opozitë.