Prokuroria Speciale e Kosovës dje ka ngritur aktakuzë kundër klanit “Pronto”, gjegjësisht ndaj njëmbëdhjetë personave me funksione të larta zyrtare si: ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, shef i grupit parlamentar të PDK-së; ish-ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj; ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi; kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Njazi Kryeziu; ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj; ish-këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashi, si dhe ish-shefja e Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Por, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se Prokuroria Speciale “qëllimshëm është munduar ta relativizojë kapjen e shtetit përmes klasifikimit vetëm në veprën penale të diskriminimit në punësim dhe ka dështuar ta evidentojë kapjen e shtetit”.

“Shkeljet e aferës Pronto mund të zbërthehen lehtësisht në Kodin Penal. Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit dhe Ushtrimi i Ndikimit janë edhe dy vepra tjera penale të cilat prokuroria i ka shpërfillur”, ka thënë deputetja e VV-së.

Haxhiu, në një status në Facebook, ka thënë po ashtu se aktakuzave duhet t’i shtohen edhe këto dy vepra penale e poashtu aktakuza duhet të ngrihen edhe për Thaçin e Veselin, si protagonistë të aferës Pronto.

Përmes një statusi në Facebook, ajo thotë se afera “Pronto” ka shpërfaqur kapjen e shtetit, pra kapjen e secilit institucion/ndërmarrje/bord/agjension.

“Pra të gjithë e kemi të qartë se punësimet e Thaçit e Veselit, ishin me qëllim të kontrollit mbi gjithçka përmes njerëzve të tyre të dëgjueshëm. Grabovci, Pajaziti, Beqaj dhe të tjerët ishin shërbëtorët e zellshëm të Thaçit e Veselit. Afera Pronto ka shpërfaqur shumëçka! Ka shpërfaqur se si kontrollohet sistemi i drejtësisë, si zgjedhen gjyqtarët e prokurorët, si kontrollohen ndërmarrjet publike(lokale, e qendrore) si kontrollohen bordet e agjensionet! Afera Pronto ka dëshmuar se si njerëzit e PDK-së duan të kenë kontroll mbi çdo institucion dhe mbi pasurinë publike”, ka thënë më tej Haxhiu.

Sipas saj, në aferën “Pronto” është kuptuar se “pse në Kosovë asgjë nuk funksionon siç duhet dhe pse ka aq shumë korrupsion e krim të organizuar”.