Policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për kidnapimin tri ditë më parë të 11-vjeçarit në Shtime. Fëmija më pas kishte arritur t’iu ikte kidnapuesve.

Tre persona të maskuar e kishin futur me dhunë në një xhip, pasditen e së dielës 11-vjeçarin nga komuna e Shtimes.

Djaloshin E.Tafa pastaj me duar të lidhura, e kishin dërguar në një lokacion disa kilometra larg shtëpisë së tij.

E menjëherë pas këtij veprimi familjes i kishte shkuar një mesazh ku shkruhej “nëse nuk i bjen 50 mijë euro, djalin mos e lyp më, ok? Më vonë dëgjohemi”.

E.Tafa 11 vjeç, bashkë me djalin e axhës Diartin, 18 vjeç, i cili kishte ardhur nga Belgjika në ditën kritike kishin dalë për t’u shëtitur në rrethinën e qytetit të Shtimes. Ata kishin hyrë në një supermarket, pastaj kishte ndodhur kidnapimi.

Por fëmija më pas kishte arritur t’iu ikte kidnapuesve dhe i ishte dorëzuar policisë. Ai nuk e di lokacionin e saktë se ku ishte mbajtur, por thotë se kishte qenë një shtëpi të vjetër.

Zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Agim Gashi ka thënë për Insajderin gjatë ditës së sotme se nuk ka zhvillime të reja lidhur me hetimet që po bëhen për rastin.
“Nuk ka informata të tjera. Kur të ketë zhvillime të reja do t’ju njoftojmë përmes komunikatës”, ka thënë Gashi.