Po bëhen gjysmë viti prej se kur kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka fituar mandatin e 5- të për qeverisje komunale. Mirëpo, edhe pas kaq muajsh qeverisje, ai akoma nuk ka bërë kompletimin e kabinetit të tij, shkruan Llapi.info.
Dy fushat për të cilat Veliu gjatë fushatës thoshte se do të jenë prioritet i qeverisjes së tij, së bashku me atë të Bujqësisë, janë akoma pa drejtorë. Drejtoria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit janë këto dy drejtoritë e vetme në kabinetin e Veliut që tashmë e 6 muaj nuk kanë udhëheqës.
E një gjë e tillë, nga partitë opozitare dhe shoqëritë civile në Podujevë është duke u parë si sjellje e pa përgjegjshme e kryetarit aktual të Podujevës, Agim Veliu.
Për Drejtorin Ekzekutiv të “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari mos emërimi i drejtorëve në këto dy fusha është sulm direkt në të ardhmen e familjes së qytetarit të Podujevës dhe se sipas tij ky është dështimi më i madh i kësaj qeverisje.
“Pa një shëndetësi të mirë dhe pa një arsim cilësor si mund të mendohet një e ardhme me perspektivë e qytetarëve të Podujevës. Është shumë shqetësuese dhe e pa pranueshme shpërfillja e qëllimshme e z. Veliu, në vonesën për emërimin e dy drejtorëve të dy shtyllave kryesore që ofrojnë shërbime për qytetarët dhe që ndikojnë drejtpërsëdrejti në familjen e qytetarëve të komunës së Podujevës” , ka thënë Jashari.
Përveç kësaj, ai mos emërimin e drejtorëve e ka ndërlidhur edhe me suksesin e dobët që nxënësit e shkollave të Podujevës kanë në nivel vendi si dhe mos funksionimin e qendrës emergjente dhe qendrat e mjekësisë familjare, të cilat sipas tij, funksionojnë në bazë të tekeve të nëpunësve pa një mbikëqyrje të duhur dhe pa një plan konkret për ngritjen e cilësisë.
“Mos emërimi e deritashëm i dy drejtorëve më të rëndësishëm të qeverisë komunale ndoshta është dështimi më i madh i këtij mandati deri më tani dhe si i tillë përveç që është shqetësues është i papranueshëm”, ka thënë për Llapi.info Jashari.
Kurse partia më e madhe opozitare në Podujevë, Lëvizja Vetëvendosje mos emërimin e këtyre drejtorëve e ndërlidhë me mos marrëveshjet që “kryetari i komunës ka me persona të cilët gjatë zgjedhjeve si kusht kanë pasur sjelljen e sa më shumë votave në këmbim për përfitimin e ndonjë drejtorie.”
“Po bëhen pothuajse 6 muaj nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve dhe ende nuk janë emëruar drejtorët e dy drejtorive më të rëndësishme, pra behet fjalë për drejtorinë e arsimit dhe shëndetësisë. Arsyet e këtyre vonesave me gjasë janë mosmarrëveshjet që ka kryetari i komunës me persona të caktuar, të cilët gjatë zgjedhjeve si kusht kanë pasur sjelljen e sa më shumë votave në këmbim për përfitimin e ndonjë drejtorie dhe si rezultat është krijuar një konkurrencë e cila po rezulton ne mos emërimin e këtyre drejtorëve” tha asamblistja e VV-së, Lirika Maliqi.
Llapi.info ka pyetur edhe zyrtarët për informim në komunën e Podujevës lidhur me shkaqet e mos emërimit të këtyre dy drejtorëve mirëpo, ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e portalit./Llapi.info