Arbër Vllahiu bëhet ambasador. Ai është emëruar në pozitën e shefit të misionit diplomatik të Kosovës në Çeki.
Kështu së paku sipas këshilltares së kryeministrit Ramush Haradinaj, Diellza Hoti, e cila ka shkruar në profilin e saj në Facebook. Ajo ka uruar kolegun e saj në kabinetin e kryeministrit për pozitën e re.
“Urime detyra e re Arbër Vllahiu; i ngarkuar me punë diplomatike në Pragë të Çekisë”, ka shkruar ajo në postimin e saj në Facebook, të cilin e ka shoqëruar edhe me një fotografi ku shihet ajo, Vllahiu i kthyer me shpinë dhe deputeti i AAK-së, Daut Haradiaj.
Vllahiu së fundi ka qenë në zyrën e kryeministrit Haradinaj, ndërsa ishte anëtarësuar në partinë e tij, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke u bërë edhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës. Vllahiu e ka ndarë karrieren e tij mes gazetarisë e politikës. Ishte këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga.
Në ndërkohë ka punuar për media të rëndësishme ndërkombëtare.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë ka filluar punën nga qershori i vitit 2010. Çekia ka njohur pavarësinë e Kosovës në maj të vitit 2008. Por, ky vendim i Qeverisë së Çekisë nuk njihet nga presidentët e deritashëm çekë, të cilët kanë refuzuar edhe t’i presin diplomatët kosovarë në zyrat e tyre për dorëzimin e kredencialeve. Kjo është edhe arsyeja që Kosova atje nuk përfaqësohet në rang ambasadori, por me të ngarkuar me punë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë udhëhiqej nga e ngarkuara me punë Ariana Zherka Hoxha.