Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka deklaruar në konferencë për media, bashkë me presidentin, Hashim Thaçi, se Bashkimi Europian s’mund të ketë në mesin e vet anëtarë që kanë probleme njëri me tjetrin.

Për këtë arsye, as Kosova e as Serbia s’mund të bëhen pjesë e BE-së pa i zgjidhur problemet mes vete, njofton Klan Kosova.

Kryeministri bullgar nuk e ka thënë qartazi as nëse këtë vit do të hiqen vizat e udhëtimit për kosovarët.

Kurse presidenti Thaçi ka potencuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ai ka deklaruar se do ta përfaqësojë Kosovën si shtet në samitin e Sofjes në Bullgari që mbahet në mes të muajit maj.

Dy politikanët kanë deklaruar se Kosova e Bullgaria kanë raporte të shkëlqyera bilaterale.