Janë bërë tre muaj nga vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e tij.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell.
“Dje u bënë tre muaj që nga vrasja e Oliver Ivanovic. Vazhdon të mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo dhe vrasjet e tjera të hetohen tërësisht, dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, tha ambasadori britanik.
Ndryshe, ditë më parë Telegrafi ka raportuar se janë bërë më shumë se një muaj që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë në kompetencë hetimin për vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Oliver Ivanoviq, mirëpo ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
Zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu i kishte thënë të mërkurën Telegrafit se deri më tani janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave në cilësinë e dëshmitarëve.
“Deri më tani janë intervistuar një numër i konsiderueshëm, të gjithë këta në cilësi të dëshmitarëve. Jemi në fazën e grumbullimit të provave, ende nuk kemi asnjë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ishte shprehur Lutfiu.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq u qëllua para zyrës së tij më 16 janar dhe vdiq më pas në spital.