Të mërkurën në Gjykatën Themelore, është ndërprerë gjykimi ndaj Burim Gashit, i cili akuzohet se në cilësinë e automekanikut në Policinë e Kosovës, kishte përvetësuar pajisje të veturave policore, në vlerë prej mbi 10 mijë eurosh.
Ndërprerjes së kësaj seance, i ka paraprirë një debat ndërmjet prokurorit në këtë rast, Feti Tunuzliu, si dhe kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Hamdi Ibrahimi.
Aktvendimin për ndërprerjen e kësaj seance gjyqësore, e mori kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, pas deklaratës së prokurorit të rastit Feti Tunuzliu, e që sipas të cilit, ai nuk e ka për detyrë që të bëjë prezantimin e provave.
Pas dëgjimit të fjalës hyrëse nga ana e prokurorit dhe të mbrojtësit të të akuzuarit, kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibraimi e ftoi prokurorin Feti Tunuzliu, për të prezantuar provat materiale me të cilat pretendon të vërtetojë aktakuzën.
Tunuzliu, deklaroi se provat për administrim i ka propozuar në aktakuzë dhe në faqen e dytë të saj është e theksuar se cilat nga to gjykata duhet t’i administrojë.
Lidhur me këtë, gjykatësi Ibrahimi, deklaroi se konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, është detyrë e prokurorit të shtetit, sikurse edhe e mbrojtjes si dhe e vet të akuzuarit, që në shqyrtimin gjyqësor të bëjë prezantimin e provave, ndërsa sipas tij, është në autoritetin e gjykatës që pas prezantimit të bëjë shqyrtimin e tyre.
“Jeni duke dalë jashtë autorizimeve ligjore, nuk keni nevojë me bë komente”, ka thënë prokurori Tunuzliu.
Ndërsa, Ibrahimi deklaroi se është hera e tretë që e ka të njëjtin problem me prokurorin në fjalë, dhe se shkresat e kësaj lënde sipas tij, do t’i dërgohen gjatë ditës Kryeprokurorit të Shtetit.
”Vazhdimi për këtë çështje penale do të caktohet pasi që Kryeprokurori i Shtetit te njihet me situatën e caktuar dhe të paraqet mendimin se a kanë interes të paraqesin aktakuzën dhe të bëjnë prezantimin e provave apo jo”, ka deklaruar gjykatësi Ibrahimi, duke shtuar se ky rast është shkas i mirë që prokurorët më në fund të kuptojnë se ata e kanë për detyrë që të bëjnë prezantimin e provave.
Paraprakisht, në këtë seancë, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, gjatë leximit të dhënave të të akuzuarit, ka thënë se ka kuptuar se me të ka lidhje të largët farefisnore, pasi që vijnë nga i njëjti fshat dhe pavarësisht se kanë mbiemra të ndryshëm, janë kushëri mes vete, mirëpo sipas tij, më të asnjëherë më parë nuk ishte takuar.
Pas konsultimit me prokurorin, mbrojtësin e të akuzuarit dhe me të akuzuarin, kryetari i trupi gjykues, ka marr vendim se në këtë rast nuk shfaqet ndonjë rrethanë e papërshtatshme, e cila do të mund të dërgojë në kërkesën për përjashtim, apo edhe të ndikojë në ndonjë mënyrë sa i përket objektivitetit të gjykatësit Foniqi.
Ndërkaq, në fjalën e tij hyrëse, prokurorit Tunuzliu, deklaroi se Prokuroria Themelore më 14 korrik 2011, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Burim Gashi, për shkak të veprës penale “përvetësim gjatë detyrës zyrtare”, duke iu referuar dëshmive të dëshmitarëve dhe provave materiale që janë propozuar në aktakuzë për tu administruar.
“Konsideroj se provat materiale sipas kësaj aktakuze vërtetojnë elementet esenciale të veprës së përmendur penale ngase të njëjtat veç e veç vërtetojnë vlerën e përgjithshme të dëmit të shkaktuar për Policinë e Kosovës dhe veprimet inkriminuese të të pandehurit me të cilat shihet se i njëjti pjesët e veturës zyrtare i ka marrë dhe tjetërsuar. Këto veprime rezultojnë nga faturat e specifikuara në këtë aktakuzë dhe pagesat që ju kanë bërë në lidhje me shitblerjen e tyre kompanisë e cila këto i ka shitur”, deklaroi prokurori Tunuzliu.
Në pyetjen e gjykatësit Ibrahimi se me cilën provë do të provohet, cilësia e personit zyrtar, i cili është i punësuar në pozitën e automekanikut, pasi që në shkresa nuk është prezantuar ndonjë provë e tillë, prokurori Tunzliu deklaroi se nuk ka prova të tjera dhe tani për tani mbetet pranë aktakuzës së ngritur, ndërsa nëse është i akuzuari person zyrtar apo jo, pasi që punon si automekanik, sipas tij, pritet të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Selman Bogiqi, e ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur, me arsyetimin se i mbrojturi i tij nuk e ka cilësinë e personit zyrtar ashtu siç parashihet me Kodin Penal të Kosovës.
”Nëse lexohet me vëmendje vendimi i Gjykatës së Apelit, në arsyetim në formë të prerë thuhet se nuk kemi të bëjmë me personi zyrtar. Kam menduar se prokurori d të bëjë cilësim tjetër të veprës penale, or sidoqoftë gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe gjatë administrimit të provave do të vërtetohet se Burim Gashi nuk e ka kryer veprën penale siç parashihet në aktakuzën e prokurorit”, deklaroi avokati Bogiqi.
Në këtë seancë të ftuar për të dhënë dëshminë ishin pesë dëshmitarët, Burim Krasniqi, Sedat Krasniqi, Agron Mehmeti, Safet Bajrami dhe Safet Makolli, kur prej tyre vetëm dëshmitari i fundit nuk ishte prezent për arsye shëndetësore.
Po të njëjtit priten të dëgjohen në seancën e ardhshme, e cila pritet të caktohet në vazhdim.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 nëntor 2016, kishte refuzuar aktakuzën kundër të akuzuarit Burim Gashi, me arsyetimin se për veprën penale për të cilën akuzohej kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe më 18 prill 2017, gjykata e shkallës së dytë kishte marre vendim që të pranonte ankesën e Prokurorisë dhe çështja ishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës, Burim Gashi, në cilësinë e automekanikut në Policinë e Kosovës, me 22 shtator 2010, me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore, kishte përvetësuar disa pjesët të makinës së policisë të markës “Hundai – Santafe”.
Pjesët që ishin planifikuar që të vendosen në këtë makinë, sipas aktakuzës, nuk ishin montuar fare, por të njëjtat ishin tërhequr nga punëtoria mekanike e policisë dhe ishin përvetësuar.
Sipas aktakuzës, vlera e këtyre mjeteve kishte qenë 10.494 euro./betimiperdrejtesi.com